Ukraina ka ndërmarrë një tjetër sulm me dronë ndaj objekteve të naftës në brigjet ruse të Detit Baltik, pranë Shën Peterburgut, ndërsa Rusia vazhdoi bombardimet në Ukrainë, duke goditur qytetin verilindor të Sumyt me pasoja të rënda për civilët.
Guvernatori i rajonit të Shën Peterburgut, Aleksandr Drozdenko, tha se mbrojtja ajrore ruse rrëzoi 67 dronë ukrainas.
Sipas tij, mbetjet e disa dronëve ranë në portin e Vysotskut, ku ndodhet një terminal i madh për ngarkimin e naftës.
Në rrjetet sociale ruse dhe ukrainase u publikuan video që pretendojnë se është goditur edhe porti i naftës në Shën Peterburg, megjithëse autoritetet e qytetit nuk e kanë konfirmuar një informacion të tillë.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se gjatë natës janë rrëzuar gjithsej 389 dronë ukrainas në territorin rus.
Sulmi vjen një muaj pasi Ukraina shkaktoi zjarr në depozitat e naftës në portin e Shën Peterburgut, pak para nisjes së forumit ekonomik ndërkombëtar të drejtuar nga presidenti rus Vladimir Putin.
Ndërkohë, në Ukrainë, të paktën katër persona humbën jetën dhe 27 të tjerë u plagosën nga një sulm ajror rus mbi qytetin e Sumyt, njoftoi presidenti Volodymyr Zelensky.
Sipas autoriteteve rajonale, avionët rusë hodhën gjashtë bomba të drejtuara mbi qendrën e qytetit. Disa persona besohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese banimi, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë operacionet.
Sulmet e ndërsjella tregojnë se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon të përshkallëzohet, me të dyja palët që godasin objektiva strategjike dhe zona të banuara, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për arritjen e një armëpushimi./mxh
