Një ilaç eksperimental i zhvilluar fillimisht për të ndihmuar rikuperimin e zemrës pas infarktit mund të ofrojë shpresë edhe për trajtimin e sëmundjeve kronike të veshkave, sipas Reuters.
Rezultatet e një studimi laboratorik tregojnë se ilaçi AD-NP1 përmirësoi ndjeshëm riparimin e indeve të dëmtuara të veshkave tek minjtë.
AD-NP1, që po zhvillohet nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA), vepron duke bllokuar proteinën ENPP1. Kjo proteinë pengon proceset natyrore të shërimit të indeve dhe mund të çojë në dëmtime të përhershme pas një infarkti në zemër.
Shkencëtarët analizuan mostra të indeve të marra nga pacientë me sëmundje kronike të veshkave dhe zbuluan se niveli i proteinës ENPP1 ishte dukshëm më i lartë krahasuar me indet e shëndetshme.
Në eksperimentet me minj, studiuesit shkaktuan dëmtime të kontrolluara në veshka. Edhe pse të gjitha kafshët pësuan dëmtim fillestar, ato që nuk prodhonin proteinën ENPP1 falë modifikimit gjenetik shfaqën riparim më të mirë të veshkave, më pak fibrozë (formim të indit mbresor) dhe funksion më të mirë të organit pas disa javësh.
Në një provë tjetër, minjtë me dëmtime në veshka u trajtuan me ilaçin AD-NP1. Vetëm një javë më vonë, studiuesit vunë re përmirësim të funksionit të veshkave dhe shërim më të shpejtë të indeve.
Sipas drejtuesit të studimit, Arjun Deb, proteina ENPP1 ndërhyn në rrugët biologjike që u mundësojnë qelizave të prodhojnë energjinë e nevojshme për rigjenerim.
Ai theksoi se mekanizmat e zbuluar fillimisht në zemër rezultuan të jenë të njëjtë edhe në veshka.
Ilaçi AD-NP1 është miratuar tashmë për prova pilot tek njerëzit për trajtimin e dëmtimeve të zemrës pas infarktit.
Megjithatë, përdorimi i tij për sëmundjet e veshkave mbetet ende në fazën paraklinike dhe nevojiten studime klinike për të konfirmuar sigurinë dhe efektivitetin tek pacientët./mxh
