Ukraina pretendon se sulmet e saj kanë nxjerrë jashtë funksionit më shumë se gjysmën e kapacitetit të Rusisë për përpunimin e naftës. Sipas Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, sulmet me rreze të gjatë kanë dëmtuar 51% të kapacitetit të rafinerive ruse.
Kievi tha se sulmet e fundit kanë goditur rafineri në Moskë, Yaroslavl, Ust-Luga, Perm, Saratov dhe Syzran.
Pretendimet e Ukrainës nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Sulmet ndaj rafinerive ruse janë intensifikuar gjatë muajve të fundit. Ato kanë shkaktuar probleme me furnizimin me karburant në Rusi dhe kanë detyruar autoritetet të vendosin kufizime për shitjen e benzinës në disa zona.
Presidenti rus, Vladimir Putin, pranoi më 1 tetor se sulmet ukrainase kanë ndikuar në ekonominë e vendit. Sipas tij, dëmi ekonomik është rreth 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Rusisë.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, prodhimi i naftës dizel në Rusi ka rënë me rreth 30%. Në disa raste, drejtuesit e automjeteve janë detyruar të presin deri në 40 orë për të furnizuar makinat me karburant.
Rusia ka tentuar të kompensojë dëmet duke shtyrë mirëmbajtjen e rafinerive dhe duke rikthyer në punë disa njësi të vjetra. Autoritetet kanë ulur gjithashtu disa standarde të cilësisë së karburantit për të shmangur mungesat.
Ndërkohë, luftimet ajrore mes Rusisë dhe Ukrainës janë intensifikuar. Në qytetin ukrainas të Harkivit, një sulm rus me bombë të drejtuar vrau të paktën tre persona dhe plagosi 29 të tjerë, mes tyre tre fëmijë. Një tjetër sulm me dron kishte vrarë një person më herët.
Forcat ajrore ukrainase thanë se Rusia lëshoi 205 dronë gjatë natës, ndërsa 172 prej tyre u rrëzuan ose u neutralizuan.
Ukraina ka përdorur gjithashtu sisteme automatike me inteligjencë artificiale për të luftuar dronët rusë. Sipas forcave ukrainase, këto sisteme kanë arritur të rrëzojnë edhe dronë me motor reaktiv.
Në një tjetër zhvillim, një predhë e rënë pranë pikës kufitare mes Moldavisë dhe Ukrainës, Palanca-Maiaky-Udobne, goditi një autobus pasagjerësh. Predha kishte rënë fillimisht në tokë dhe më pas kishte bërë rikoshet. Nga goditja u dëmtuan autobusi dhe kabina e kontrollit, ndërsa një roje kufitare moldave mbeti i plagosur lehtë.
Pas incidentit, pika kufitare u mbyll përkohësisht dhe autoritetet u kërkuan qytetarëve të shmangin zonën./mxh
