Last Updated on 21/09/2025 by adminfjala
Forcat ruse i kanë shënjestruar ekipet e emergjencës ukrainase me sulm të dyfishtë vdekjeprurës, duke i plagosur dy punonjës të emergjencës në rajonin verior të Çernihivit, thanë zyrtarët ukrainas të dielën.
Sulmi gjatë orëve të hershme të së dielës ishte hera e dytë brenda një jave që forcat ruse goditën zjarrfikësit në këtë rajon kur at po reagonin ndaj një sulmi të mëparshëm me raketë ose dron, tha administratori ushtarak rajonal, Vyacheslav Chaus.
Gjatë natës, Rusia lëshoi gati gjashtëdhjetë dronë mbi 16 lokacione në të gjithë Ukrainën, një nga sulmet më të vogla në javët e fundit, sipas zyrtarëve ushtarakë.
Në rajonin verior të Sumit, që kufizohet me Rusinë, një dron rus goditi një magazinë, duke shkaktuar një zjarr të madh, thanë autoritetet.
Në muajt e fundit, sulmet me dronë dhe raketa të Rusisë ndaj Ukrainës kanë përfshirë qindra predha, shpesh duke mbingarkuar mbrojtjen ajrore ukrainase.
Në fjalimin e tij gjatë natës, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të vendosin masa “të fuqishme” kundër Rusisë, pasi tensionet mes anëtarëve lindorë të NATO-s dhe Kremlinit po rriten.
Zelensky e përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se është i gatshëm të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili deri tani nuk ka pranuar takim në vend neutral.
Trump, i cili ka shprehur kamotshëm admirim për Putinin, tani ndihet i zhgënjyer me liderin e Kremlinit pasi ai nuk po tregon gatishmëri për ta pranuar një armëpushim dhe për t’u angazhuar në bisedime direkte me Zelenskyn.
“Ai vërtet më ka zhgënjyer”, tha Trump gjatë një vizite në Londër më 18 shtator. m.p.
