Roza Lati dëshiron të rikthehet në televizion, por jo me çdo kusht. E ftuar në emisionin “Me Nder Jush” në Andale Media, moderatorja foli për mungesën në ekran, ofertat që ka marrë pas pjesëmarrjes në “Big Brother VIP Albania 3” dhe arsyet pse ende nuk ka pranuar një projekt të ri televizive.
Roza, e cila ka pasur një karrierë disavjeçare në televizion, mes të tjerash si moderatore e emisionit “Why Not?”, theksoi se pjesëmarrja në reality show nuk ishte një përpjekje për të nisur një karrierë në ekran, pasi ajo e kishte ndërtuar një të tillë shumë kohë më parë.
“Unë nuk isha një influencere në internet që u futa në ‘Big Brother VIP’ që të më hapeshin dyert në televizion. Unë në televizion isha, e kisha një karrierë televizive dhe absolutisht që u ulëm, folëm pas Big Brother, patëm biseda për bashkëpunim, por nuk ramë dakord”, u shpreh ajo.
Moderatorja sqaroi se dëshira për t’u rikthyer vazhdon të jetë e madhe, por pas përvojës së saj profesionale, nuk është e gatshme të pranojë një rol që nuk përputhet me pozicionin që ka pasur më parë në televizion.
“Unë me kënaqësinë më të madhe dua të kthehem në TV, por si po shkojnë këto punë… Unë kam njëfarë standardi si moderatore dhe prezantuese dhe s’mund të kthehem në TV dhe të bëj një rubrikë. Ose qëndroj aty ku kam qenë, ose nuk bëj asgjë”, tha Roza.
Sipas saj, një tjetër pengesë është edhe fakti se hapësirat për drejtimin e programeve në oraret kryesore të transmetimit janë tashmë të zëna, çka e ka shtyrë të tërhiqet për momentin nga televizioni.
Gjatë bisedës, Roza e zgjeroi diskutimin edhe te mënyra se si televizioni shqiptar po i trajton figurat me përvojë.
“Profesionistët e vjetër nuk po marrin atë që meritojnë”, u shpreh ajo, duke shtuar se po sheh gjithnjë e më shumë profesionistë të njohur jashtë ekranit dhe si shembull përmendi Albana Osmanin, ish-moderatoren e Top Channel.
Për momentin, ajo preferon të qëndrojë jashtë ekranit, në vend që të rikthehet thjesht për të qenë pjesë e tij sepse për Rozën, jo çdo rikthim është domosdoshmërisht një hap përpara./k.m
