Last Updated on 30/10/2026 by Anisa
Agron Shehaj ka folur për situatën politike në vend teksa pretendon se kryeministri Edi Rama bashkë me skuadrën e vet qeverisëse nuk gëzon më mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
Duke folur për protestat, kryetari i Partisë Mundësia u shpreh se partitë politike nuk duhet t’u japin udhëzime protestuesve apo të ndërhyjnë në organizimin e tyre, por t’i mbështesin. Sipas Shehajt, momenti kur politika duhet të bashkohet me protestuesit dhe studentët është pas dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama.
“Ju po kërkoni zgjidhje për protestuesit. Nëse më pyet mua si kryetar i Partisë Mundësia, unë mendoj që protestës nuk duhet t’i japim mend. T’i lëmë ta bëjnë ashtu siç e kanë bërë. Unë si kryetar, e para nuk duhet të jap mend. E dyta, duhet t’i mbështes. E treta, kur të japë dorëheqjen Edi Rama, aty pastaj duhet të bashkohemi me protestuesit, me studentët, pa futur hundët”, u shpreh Shehaj.
Ai shkoi më tej, duke pretenduar se mbështetja për Ramën ka rënë nën 40%, megjithëse nuk paraqiti të dhëna konkrete për këtë vlerësim.
“Sot që flasim, Edi Rama nuk është më shumicë. Jo vetëm është pakicë, por është pakicë poshtë 40 përqind. Kjo është sot, por nesër mund të jetë akoma më keq për Edi Ramën”, deklaroi kreu i Partisë Mundësia në “Opinion”./ad
