Brisida Shehaj si rrallë herë ka folur për kohën kur ajo drejtonte Drejtorinë e Tatimeve, detyrë të cilën e ka mbajtur për rreth 3 vite.
Gjatë një interviste për emisionin Quo Vadis në Vizion Plus me Pranvera Borakajn, Shehaj ka deklaruar se gjendja në të cilën ndodhet sot vendi është nga mosekzitenca e shoqërive civile dhe shtresave të mesme.
“Shqipëria sot ka shumë probleme. Ka probleme të zhvillimit, në arsim, ka probleme në shëndetësi, ka probleme ekonomike, ka probleme në shpopulli. Kemi probleme në zhvillimin tonë të brendshëm si njerëz. Sot jemi kthyer në një popull që nuk reagon. Mund të jemi më të pasur financiarisht, me më shumë botox edhe fillera, por…na ka ngrirë mendja. Në rajon nuk ka mungesë reagimi, Kosova reagon, reagon Maqedonia, Serbia po e po. Vetëm ne nuk reagojmë. Votoxi nga balli ka kaluar në tru. Ky është problemi më i madh. Shoqëria civile dhe shtresa e mesme e cila për mua është përgjegjëse për gjithë këto zhvillime, kanë marrë fund. Ne kemi investuar për të shkatërruaar ata që duhet të jenë pjesa e vajit të motorit, që të funksionojë motori”, tha Shehaj.
Ish drejtoresha e Tatimeve theksoi se ajo nuk ka qenë asnjë herë ushtare e partisë në pushtet, por theksoi se detyrën e ka ushtruar në të mirë të vendit.
“Unë atë detyrë e kam bërë me shumë përgjegjshmëri, e kam bërë me shumë vetëbesim, e kam bërë me një bindje që shumëkush e quante idealiste, dhe e thonë shpesh me një konotacion negativ. Unë e dua Shqipërinë, nuk dua pushtetin, por dua Shqipërinë. Kjo ishte mënyra që unë zgjodha të drejtoja. Dashuri për Shqipërinë por jo për pushtetitn. Unë nuk isha ushtare e partisë. Partia vlen, përfaqësimi nga një forcë politike vlen sepse është ajo logo dhe sigël që mbledh rreth vetes njerëz, intelektualë, por është një sigël dhe një entitet që mbledh disa njerëz për të krijuar një vizion me të cilin i drejtohesh qytetarëve, merr votëbesimin dhe pastaj je i detyruar të bësh atë që është e mirë për qytetarët. Këtu mbaron hisotira e partisë. Në momentin që ne jemi në detyrë nuk është më çështje partie, por është çështje Shqipërie. Pra ne jemi aty për të shërbyer për ata që na votojnë. Për sa kohë kthehet pushtet personal, aty mer fund gjithçka”, tha Shehaj në Quo Vadis.
“Bankers Petrolum” është një nga dosjet që edhe sot po hetohet për evasion fiskal prej miliona euro. Sipas Shehajt, kjo dosje është nisur prej saj, teksa shtoi se në ndihmë të saj ka qenë edhe Ilir Meta që ka dhënë një “suport maksimal”.
Biseda:
Borakaj: Përse ikët ju nga Tatimet?
Shehaj: Një arsye madhore është që unë dhashë maksimumin e mundshëm. Gjatë kohës që isha unë është bërë beteja më e madhe për naftës, beteja e “Bankers”, beteja e Bejlerit..
Borakaj: Për informalitetin..
Shehaj: Informaliteti u mor dhe u tha sikur ne po i binim biznesit të vogël. Atëherë janë çuar diku te 500 milionë euro dosje për evazion, atëherë janë bërë shumë gjëra. Shikoja në 2024-ën këta që dolën e thanë “fituam arbitrazhin”. Arbitrazhi i Bankers-it ishte këmbëngulja ime personale, asokohe unë kam relatuar para dy bashkëdrejtuesve. Ilir Meta ka dhënë suportin maksimal. Shumë dosje, shumë hetime, që shumë më pas janë vrarë në drejtësinë e vjetër e të renë bashkë./A.D
