A e keni vënë re se ndonjëherë një vakt i mirë mund t’ju përmirësojë menjëherë humorin? Sipas një studimi të fundit nga Harvard Health Publishing, ushqimi që konsumojmë ndikon drejtpërdrejt në gjendjen tonë emocionale dhe në prodhimin e hormonit të lumturisë, serotoninës.
Truri dhe stomaku “flasin” me njëri-tjetrin
Shkencëtarët thonë se rreth 90% e serotoninës prodhohet në sistemin tretës, jo në tru. Kjo do të thotë se ajo që hamë ndikon shumë në mënyrën se si ndjehemi. Nëse ushqehemi me produkte të përpunuara, sheqerna dhe yndyrna të këqija, truri reagon me lodhje, ankth dhe humor të ulët. Ndërsa ushqimet e pasura me vitamina B, omega-3 dhe triptofan ndihmojnë në prodhimin natyral të serotoninës dhe dopaminës – dy substancat që na bëjnë të ndihemi mirë.
Këto janë 5 ushqimet që përmirësojnë humorin:
- Banania – e pasur me triptofan, magnez dhe vitaminë B6, ndihmon trupin të prodhojë serotoninën në mënyrë natyrale.
- Çokollata e zezë – përveç shijes së mrekullueshme, stimulon prodhimin e endorfinave dhe ul nivelin e stresit.
- Peshku i yndyrshëm (si salmoni apo sardelet) – falë acideve yndyrore omega-3, përmirëson funksionin e trurit dhe stabilizon humorin.
- Arra dhe bajame – përmbajnë magnez dhe proteina që ndihmojnë sistemin nervor të qetësohet.
- Drithërat integrale – furnizojnë trupin me energji të qëndrueshme dhe parandalojnë ndjesinë e lodhjes mendore gjatë ditës.
Psikologët e ushqimit theksojnë se truri reagon ndaj ushqimit po aq sa ndaj emocioneve. Një dietë e pasur me fruta, perime, peshk dhe drithëra integrale lidhet me nivel më të ulët depresioni dhe ankthi. Ndërsa ata që konsumojnë më shumë “fast food” kanë më shumë gjasa të ndihen të irrituar dhe pa energji.
Këshilla praktike për përditshmërinë:
- Filloni mëngjesin me banane ose tërshërë me mjaltë.
- Në vend të çokollatës me qumësht, zgjidhni një copë çokollatë të zezë (70%).
- Konsumoni peshk të paktën dy herë në javë.
- Mos harroni ujin – dehidratimi ul përqendrimin dhe humorin.
