Last Updated on 08/01/2026 by EL
Flakët e zjarrit që kanë përfshirë magazinat e rrobave të përdorura në tregun e njohur si “5 Maji” në Tiranë, po marrin përmasa të mëdha dhe forcat zjarrfikëse të kryeqytetit kanë kërkuar ndihmën e Forcave të Armatosura dhe bashkive fqinje.
Ashtu siç është raportuar rreth një orë më parë, zjarri ka shpërthyer papritur dhe në një kohë me reshje të herëpashershme.
Për shkak të materialeve (rrobave të përdorura dhe sendeve të tjera plastike), zjarri po përhapet me shpejtësi në mjediset e magazinave të tjera të tregut, ndërkohë që zjarrfikësit e kanë gati të pamundur të avancojnë.
Në këto kushte, është lëshuar thirrje për ndihmë për Repartin Zjarrfikës të Durrësit, Vorës dhe Elbasanit. Gjithashtu, strukturat e Tiranës kanë kërkuar edhe ndihmën e Forcave të Armatosura.
Flakët rrezikojnë seriozisht dhe bizneset e tjera që janë në këtë zonë, ndërkohë që për apartamente dhe shtëpi deri tani nuk ka rrezik. Policia ka bërë thirrje që të shmanget qarkullimin drejt zonës së “5 Majit”, për shkak të trafikut.
E rëndësishme është që në momentin kur ka rënë zjarri, tregu i rrobave të përdorura ka qenë i mbyllur dhe fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, kurse përsa i përket atij material, është shumë i madh./e.t
