Një deklaratë e V ka shqetësuar fansat e BTS, pasi këngëtari ka treguar se prej disa vitesh po përballet me probleme të konsiderueshme me dëgjimin në njërin vesh.
Gjatë një bisede me fansat në kuadër të rikthimit të BTS në skenë, Kim Taehyung, i njohur si V, zbuloi se dëgjimi në veshin e djathtë është dëmtuar ndjeshëm. Sipas tij, nëse dëgjimi në veshin e majtë është në nivelin 100%, në të djathtin arrin vetëm rreth 30%.
Artisti 30-vjeçar tregoi se shqetësimi ka qenë i pranishëm prej rreth dy vitesh e gjysmë dhe se situata është rënduar gjatë periudhës së shërbimit të tij ushtarak.
Në fillim, V nuk e kishte konsideruar problemin si diçka serioze, duke menduar se mund ta përballonte vetë. Megjithatë, përkeqësimi i gjendjes e shtyu të kërkonte ndihmë profesionale. Aktualisht, ai ndodhet nën kujdes mjekësor dhe kryen kontrolle të rregullta në spital.
Rrëfimi vjen në një periudhë të rëndësishme për BTS, pasi grupi është rikthyer me të shtatë anëtarët pas përfundimit të shërbimit ushtarak dhe ka nisur një turne të ri botëror.
Lajmi ka shkaktuar reagime të shumta në mesin e fansave, të cilët kanë shprehur shqetësim për shëndetin e V dhe i kanë dërguar mesazhe mbështetjeje gjatë trajtimit të tij./mxh
