Vala të nxehti, përmbytjet dhe zjarret në natyrë po përbëjnë një kërcënim në rritje për demokracinë, sipas një raporti të ri.
Një studim tregon se fatkeqësitë natyrore të lidhura me krizën klimatike kanë ndërprerë 23 zgjedhje në 18 vende vetëm gjatë vitit 2024.
Të paktën 94 zgjedhje dhe referendume në 52 vende janë ndikuar nga efektet e klimës gjatë dy dekadave të fundit, sipas studiuesve. Me rritjen e rreziqeve, pritet që presioni mbi sistemet demokratike, të shtohet edhe më shumë, veçanërisht në Afrikë dhe Azi.
Gjetjet vijnë nga International Institute for Democracy and Electoral Assistance, një organizatë ndërqeveritare që synon të mbështesë demokracinë në nivel global, dhe përbëjnë analizën e parë globale mbi ndikimin e fatkeqësive natyrore në proceset zgjedhore.
Në vitin 2024, këto rreziqe ndërprenë 23 procese zgjedhore në 18 vende, përfshirë Brazil, Bosnje Hercegovina dhe Senegal, duke dëmtuar infrastrukturën, zhvendosur votuesit ose duke detyruar ndryshime të minutës së fundit në procedurat zgjedhore.
Bashkautorja e raportit, Sarah Birch nga King’s College London, theksoi se zgjedhjet duhet të planifikohen në periudha kur rreziku nga fatkeqësitë është më i ulët. Ajo vuri në dukje se edhe SHBA vazhdon të zhvillojë zgjedhjet në nëntor, gjatë sezonit të uraganeve.
“Zgjedhjet duhet të mbahen kur gjasat për katastrofa janë më të vogla”, u shpreh ajo, duke shtuar se në disa raste mund të jetë e nevojshme rishikimi i kalendarit zgjedhor për të shmangur ndërprerjet.
Raporti përmend mbi 100 kriza të lidhura me klimën, përfshirë zgjedhjet në Mozambique në vitin 2019, kur cikloni Idai përmbyti mijëra shtëpi, shkolla dhe rrugë, duke detyruar popullsinë të zhvendosej dhe duke ndikuar në rezultatet zgjedhore.
Një tjetër rast është ai i përmbytjeve gjatë zgjedhjeve parlamentare në Senegal në nëntor 2024, kur zjarrfikësit ndihmuan në transportimin e vëzhguesve drejt qendrave të votimit.
Valët e të nxehtit janë gjithashtu një problem në rritje, me të paktën 10 zgjedhje që nga viti 2022 të ndikuara nga temperaturat e larta.
Nxehtësia paraqet rrezik të veçantë për vendet me mbi 10 milionë banorë. Në Lagos, për shembull, regjistrohen deri në 89 ditë në vit me temperatura shumë më të larta se nivelet para ndryshimeve klimatike.
Për të zbutur ndikimin e këtyre fenomeneve, raporti rekomandon bashkëpunim të ngushtë mes organizatorëve të zgjedhjeve, ekspertëve meteorologjikë dhe agjencive të emergjencave.
Në Peru, për shembull, stafi zgjedhor është trajnuar për menaxhimin e rreziqeve nga fatkeqësitë, ndërsa në Kanada, provinca Alberta planifikon të zhvendosë zgjedhjet nga maji në tetor për të shmangur sezonin e zjarreve.
Sipas Ferran Martínez i Coma nga Griffith University, përgatitja dhe planet emergjente janë thelbësore për të garantuar integritetin dhe qëndrueshmërinë e proceseve zgjedhore në një botë që përballet me rreziqe klimatike gjithnjë e më të mëdha./mxh
