Policia spanjolle ka arrestuar gjashtë persona, mes tyre katër shtetas shqiptarë, pas zbulimit të një ngarkese prej 303 kilogramësh kokainë në portin e Algecirasit. Në kuadër të operacionit, autoritetet kanë goditur një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, i cili dyshohet se drejtohej nga një shqiptar që aktualisht ndodhet në burg në Shqipëri.
Sipas hetimeve të Policisë Kombëtare spanjolle, organizata kriminale me bazë në Valencia, kishte fshehur lëndën narkotike në 28 kuti, mes produkteve me mish pule të ngrirë, brenda një kontejneri të ardhur nga Brazili.
Mes personave të arrestuar në Spanjë janë nipi i drejtuesit të dyshuar të organizatës, i cili menaxhonte aktivitetin në terren, si dhe krahu i tij i djathtë. Të dy u kapën në një kafene pranë portit të Algecirasit, ku po prisnin konfirmimin për mbërritjen e ngarkesës.
Sipas mediave spanjolle, drejtuesi i dyshuar i rrjetit, është shtetasi I.Z., kishte arritur të koordinonte nga burgu në Shqipëri përgatitjen dhe transportin e dërgesës. Ai dyshohet se komunikonte me bashkëpunëtorët përmes video-telefonatave, ndërsa u ishte mburrur atyre se paguante 10 mijë euro në muaj për siguruar kushte luksi në qeli.
Madje ai dyshohet se kishte në dispozicion telefona dhe një kuzhinier personal, duke vijuar kështu të drejtonte aktivitetin e organizatës kriminale edhe nga burgu.
Hetuesit dyshojnë se ngarkesa prej 303 kilogramësh kokainë ishte vetëm një dërgesë testuese, përmes së cilës grupi synonte të provonte një rrugë të re trafikimi drejt Evropës. Objektivi i organizatës ishte të transportonte përmes portit të Algecirasit deri në një ton kokainë në javë ose rreth katër tonë në muaj, duke shfrytëzuar kontejnerët me mallra të ligjshme për të fshehur drogën.
Në kuadër të planeve të tyre, anëtarët e grupit kishin diskutuar edhe transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Brazili, Kolumbia, Panamaja dhe Ekuadori. Ndërsa drejtuesi i dyshuar i organizatës ishte arrestuar më herët në Spanjë dhe më pas ishte ekstraduar në Shqipëri, ku aktualisht po vuan dënimin./et
