Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara JD Vance ka deklaruar se bisedimet me Iranin po vijojnë dhe se, sipas tij, është arritur një përparim i rëndësishëm në procesin negociues, pas diskutimeve me presidentin Donald Trump.
Ai i përshkroi negociatat si një propozim i thjeshtë, duke rikonfirmuar qëndrimin e Uashingtonit se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore.
Sipas tij, një armatosje bërthamore e Teheranit do të nxiste vende të tjera të ndjekin të njëjtën rrugë, duke rritur rrezikun e një gare globale armatimi.
Vance paralajmëroi se Irani mund të shërbejë si dominoja e parë në një zinxhir zhvillimesh që do të dobësonin sigurinë ndërkombëtare.
Pavarësisht këtyre qëndrimeve, ai theksoi se dialogu me palën iraniane ka sjellë hapa përpara, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e negociatave apo marrëveshjet e mundshme./Mxh
