Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance tha se Irani duhet të bëjë një reduktim “kuptimplotë” të kapacitetit të tij për pasurimin e uraniumit, nëse dëshiron të arrihet një marrëveshje për përfundimin e luftës mes SHBA-së dhe Iranit.
Në një intervistë për “Reuters”, Vance tha se Uashingtoni kërkon nga Teherani veprime konkrete dhe jo vetëm premtime për të kufizuar programin e tij bërthamor.
Sipas tij, qëllimi kryesor i SHBA-së është të sigurojë që Irani të mos ketë armë bërthamore dhe të pengojë përhapjen e mëtejshme të armëve bërthamore në rajon.
Vance u ndal veçanërisht te pasurimi i uraniumit në nivelin 60%.
Ai argumentoi se një nivel i tillë pasurimi, nuk është i nevojshëm për prodhimin e zakonshëm të energjisë dhe se Irani duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të treguar se nuk synon të prodhojë armë bërthamore.
Uraniumi i pasuruar në 60% është nën nivelin e rreth 90% që konsiderohet i përshtatshëm për përdorim në armë bërthamore, por është shumë më i lartë se nivelet që zakonisht nevojiten për prodhimin e energjisë elektrike në centrale bërthamore.
Sipas Vance, SHBA-ja dhe Irani janë të përfshirë në kontakte për mundësinë e një marrëveshjeje, por procesi është i ndërlikuar.
Ai tha se presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon të drejtojë politikën amerikane dhe se Vance dhe zyrtarë të tjerë po punojnë për zbatimin e udhëzimeve të tij.
Deklaratat e Vance shënojnë një ndryshim të rëndësishëm në formulimin e kërkesave amerikane.
Presidenti Trump dhe zyrtarë të tjerë amerikanë, kanë kërkuar më herët që Irani të mos kryejë fare pasurim të uraniumit.
Vance, ndërkohë, foli për një reduktim “kuptimplotë” të kapacitetit të pasurimit, pa kërkuar në këtë intervistë heqjen e plotë të çdo kapaciteti për pasurim.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka përsëritur ndërkohë se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore.
Çështja e programit bërthamor dhe e pasurimit të uraniumit, mbetet një nga pikat kryesore të diskutimeve për përfundimin e konfliktit.
Sipas raportimeve të fundit, lufta SHBA-Iran ka hyrë në muajin e tetë dhe ka shkaktuar pasoja të mëdha në rajon, përfshirë tensione në transportin detar dhe në tregjet ndërkombëtare të karburanteve.
Megjithatë, nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës.
Çështja e pasurimit të uraniumit, mënyra e verifikimit të angazhimeve të Iranit dhe kërkesat e tjera të të dyja palëve mbeten pjesë e negociatave./mxh
