Vdekja e papritur e Giorgos Mazonakis, një prej këngëtarëve grekë më të njohur të dekadave të fundit, ka hapur një hetim që po ndiqet gjerësisht në Greqi dhe Qipro.
Artisti 54-vjeçar pësoi arrest kardiak në një qendër mjekësore private në Athinë, ku kishte shkuar për një seancë të planifikuar plazmafereze. Tashmë, dy mjekët e qendrës janë arrestuar, ndërsa autoritetet po përpiqen të rindërtojnë me saktësi çfarë ndodhi para vdekjes së tij.
Ndaj tyre është hapur një dosje për veprën penale që në legjislacionin grek lidhet me ekspozimin ndaj rrezikut me pasojë vdekjen. Çështja pritet të kalojë tashmë në procedurën e prokurorisë.
Një nga pyetjet kryesore është nëse plazmafereza kishte nisur apo jo. Mjekja që thuhet se ishte përgjegjëse për trajtimin e Mazonakis ka dëshmuar se procedura nuk kishte filluar ende dhe se gjendja e tij ishte përkeqësuar papritur gjatë përgatitjeve. Sipas raportimeve në mediat greke, ajo ka thënë gjithashtu se këngëtari kishte shkuar në të njëjtën qendër edhe një ditë më parë dhe se gjendja e tij ishte e rënduar, duke përmendur ndër të tjera edhe vështirësi në të folur.
Shën.red. Plazmafereza është një procedurë mjekësore gjatë së cilës plazma, pjesa e lëngshme e gjakut, ndahet nga qelizat e gjakut dhe hiqet përkohësisht nga qarkullimi. Më pas, qelizat e gjakut rikthehen në trup bashkë me një lëng zëvendësues, zakonisht albuminë ose plazmë, në varësi të rastit. Përdoret në disa sëmundje serioze hematologjike, neurologjike dhe të sistemit imunitar, sidomos kur synohet të largohen nga gjaku substanca të dëmshme, si antitrupa të caktuar apo proteina jonormale.
Hetimi ka nxjerrë disa elemente që autoritetet po përpiqen t’i sqarojnë. Personeli i urgjencës mjekësore ka dëshmuar se, kur mbërritën në qendrën mjekësore, pajisja e plazmaferezës ishte në punë. Një kontroll paraprak teknik ka treguar gjithashtu se, gjatë përdorimit të fundit, pajisja kishte qëndruar e ndezur për rreth 45 minuta. Tani pritet të përcaktohet se kur ishte përdorur saktësisht.
Ka paqartësi edhe për orarin. Mjekja thuhet se ka deklaruar se Mazonakis kishte mbërritur rreth orës 16:30, ndërsa shërbimet e emergjencës ishin telefonuar pak më herët. Hetuesit dyshojnë se këngëtari mund të kishte qenë në qendër për të paktën tre orë.
Policia ka kontrolluar ambientet e qendrës dhe ka sekuestruar pajisje elektronike, dokumente, produkte mjekësore dhe materiale të tjera. Kontrollet vijuan edhe në banesën e dy mjekëve.
Një tjetër pikë e rëndësishme e hetimit lidhet me vetë licencën e qendrës. Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, deklaroi se ambienti ishte regjistruar si një praktikë e thjeshtë e mjekësisë interne dhe jo si klinikë. Sipas tij, një procedurë si plazmafereza nuk duhet të kryhet në një strukturë të tillë dhe ai urdhëroi kontroll të menjëhershëm.
Gjatë inspektimit u gjetën dy pajisje për plazmaferezë. Presidenti i Shoqatës Mjekësore të Athinës, Giorgos Patoulis, deklaroi se institucioni nuk kishte të dhëna për ekzistencën e këtyre pajisjeve në ambientet në fjalë. Avokati i mjekëve, nga ana tjetër, pretendon se pajisjet ishin deklaruar dhe se qendra funksiononte në mënyrë të ligjshme.
Autoritetet po presin gjithashtu rezultatet e ekzaminimit mjekoligjor, i cili pritet të përcaktojë shkakun e vdekjes dhe nëse ekziston apo jo ndonjë lidhje mes saj dhe asaj që ndodhi në qendrën mjekësore. Deri tani, një lidhje e tillë nuk është konfirmuar.
Giorgos Mazonakis ishte një nga emrat më të njohur të muzikës greke. I lindur në Nikaia të Pireut në vitin 1972, ai kishte më shumë se 30 vite karrierë dhe ishte kthyer në një nga figurat më të njohura të muzikës laïko. Vitet e fundit ishte gjithashtu pjesë e jurisë së “The Voice of Greece”.
Ai kishte fansa edhe jashtë Greqisë, përfshirë Ballkanin. /k.m
