Daveigh Chase, aktorja që u bë e njohur në rolin e Samaras në filmin horror “The Ring”, ka lënë pas një pasuri të vlerësuar rreth 400 mijë dollarë, pavarësisht se muajt e fundit të jetës së saj i kaloi pa një strehë të qëndrueshme.
Dokumente gjyqësore të siguruara nga revista People, të depozituara më 8 korrik në Gjykatën e Lartë të Qarkut të Los Anxhelosit, tregojnë se nëna e aktores i ka kërkuar gjykatës të emërohet administratore e pasurisë së vajzës së saj, pasi Daveigh Chase nuk kishte lënë testament. Seanca gjyqësore për këtë çështje është caktuar më 12 gusht.
Këto zhvillime vijnë disa javë pas vdekjes së aktores, e cila u nda nga jeta më 16 qershor, në moshën 35-vjeçare. Sipas raportit mjeko-ligjor, shkaku i vdekjes ishte SIDA, ndërsa si faktor rëndues u përmend edhe përdorimi kronik i substancave narkotike.
Në vitet e fundit të jetës, Chase u përball me probleme të varësisë dhe mungesës së strehimit. Babai i saj, John David Schwallier, deklaroi për The New York Times se vajza e tij ishte e pastrehë dhe jetonte në Los Anxhelos me partnerin e saj para se të ndërronte jetë.
Menaxheri i saj, Daveigh Chase ka pohuar se ishte tërhequr përfundimisht nga aktrimi në vitin 2015. Në vitet që pasuan, ajo u përball me vështirësi të mëdha personale dhe probleme të përsëritura me autoritetet. Sipas The Hollywood Reporter, ajo ishte përfshirë në disa çështje penale, përfshirë akuza për posedim droge dhe drejtim të një automjeti të vjedhur.
Në një intervistë për Daily Mail në muajin qershor, nëna e saj tha se varësia e së bijës kishte nisur pas një aksidenti me motor në vitin 2016, kur asaj i rekomanduan qetësues për dhimbjet.
“Ajo filloi të kërkonte drogë dhe të shoqërohej me njerëzit e gabuar. Unë kurrë nuk e përzura vajzën time nga shtëpia. Ajo donte liri dhe këta njerëz e çuan drejt drogës. Aty filloi gjithçka.”
Ajo hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se vajza e saj ishte larguar nga familja.
“Më dhemb kur disa njerëz thonë se duhet të kem qenë një nënë e keqe, por unë kurrë nuk e braktisa. Si nënë, nuk e braktis fëmijën tënd. Gjithmonë shpresoja se do të kthehej në shtëpi.”
Sipas saj, ajo ishte përpjekur disa herë ta ndihmonte vajzën të përfshihej në programe rehabilitimi, por nuk mund ta detyronte të pranonte trajtimin.
“U përpoqa dëshpërimisht t’i ofroja ndihmë, por nuk mund ta detyrosh dikë që nuk e dëshiron, ta pranojë atë. Droga kishte marrë kontrollin e jetës së saj.”/mxh
