Një vatër e madhe zjarri është regjistruar këtë të martë në fshatin Kutalli të Bashkisë Dimal, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me ullinj dhe bimësi.
Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, duke rrezikuar dëme të konsiderueshme në zonën e mbjellë me ullinj dhe pemë. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Dimalit, Beratit dhe Kuçovës, të cilat kanë punuar për disa orë për lokalizimin e vatrës dhe vënien e situatës nën kontroll.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, zjarri është neutralizuar, ndërsa vijon puna për shuarjen përfundimtare të vatrave aktive. Ndërkohë, ka dyshime se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, por rrethanat e ngjarjes mbeten ende nën hetim. Deri tani nuk është bërë një përllogaritje e saktë e sipërfaqes së dëmtuar, ndërsa vlerësimi i dëmeve pritet të kryhet pas shuarjes së plotë të flakëve./mxh
