Last Updated on 11/03/2026 by Anisa
Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 20 maj për shqyrtimin e ankimimit të Erion Veliajt. Kryebashkiaku i Tiranës i është drejtuar Kushtetueses për të kërkuar heqjen e masës së arrestit me burg. Ndërkohë sot SPAK ka pranuar një tjetër kërkesë të Veliajt, duke i dërguar në qeli aktet hetimore të dosjes.
Kujtojmë se, Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit prej datës 10 Shkurt 2025 dhe vazhdon të jetë në detyrë si kryebashkiak, pasi Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë dhe anuloi Dekretin e Presidentit për zgjedhje të parakohshme në Tiranë.
SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen më 10 shtator, duke e akuzuar kryebashkiakun për 9 raste korrupsioni, përfshirë pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
E akuzuar është dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Ajo përballet gjithashtu me akuza për korrupsion pasiv në 9 raste, të lidhura me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, pas të cilave qëndronin vetë.
