Last Updated on 25/11/2026 by Anisa
Arjola Buzyka pritet të jetë drejtoresha e re e kopshteve të Bashkisë së Tiranës, duke zëvendësuar në këtë detyrë Zhaneta Beqirin, e cila u shkarkua nga posti pas 11 vitesh.
Sipas informacioneve, emri i Buzykës është përzgjedhur nga kryebashkiaku Erion Veliaj për të marrë drejtimin e këtij institucioni.
Arjola Buzyka ka një eksperiencë të mëparshme në administratën arsimore, ku ka mbajtur detyrën e Drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore Rajonale (DAR) Tiranë.
Në vitin 2019 ajo u shkarkua nga kjo detyrë pas një denoncimi në emisionin “Stop” për gjimnazin jopublik “Skënderbej” që jepte diploma edhe pse ishte mbyllur në vitin 2016.
Në një prononcim të asaj kohe, vetë drejtoresha tha se ky gjimnaz ishte i mbyllur prej dy vitesh me urdhër të Ministrisë së Arsimit, por pronari kishte një licencë aktive për një shkollë profesionale dhe ka mashtruar qytetarët.
Gjithashtu, emri i saj figuron në grupin teknik të punës për vlerësimin e riskut në nivel vendor të Bashkisë së Tiranës, në funksionin e Drejtorisë së Politikave Lokale Arsimore.
Shkarkimi i Zhaneta Beqirit, por edhe i disa drejtuesve të drejtorive në Bashkinë Tiranë nga kryebashkiaku Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej shkurtit të vitit 2025, vijoi përplasjen mes tij dhe kryeministrit Rama, me këtë të fundit që e “shigjetoi” në Asamblenë e PS-së së Tiranës.
