Last Updated on 30/09/2026 by EL
Nëse dëshironi të qëndroni online edhe gjatë fluturimit, zgjedhja e kompanisë ajrore mund të bëjë diferencën. Qatar Airways, Delta Air Lines dhe United Airlines kryesojnë renditjen e kompanive me Wi-Fi-n më të mirë në bord, sipas klasifikimit të Skytrax.
Wi-Fi në avion vazhdon të jetë një nga shërbimet më të diskutueshme për pasagjerët. Për disa është një mundësi praktike për të punuar, komunikuar apo përdorur rrjetet sociale gjatë fluturimit, ndërsa të tjerë preferojnë që udhëtimi në lartësi të jetë një nga momentet e pakta kur mund të shkëputen plotësisht nga interneti.
Megjithatë, për ata që duan të jenë online, një lidhje e dobët mund të jetë edhe më zhgënjyese se mungesa e internetit. Skytrax ka publikuar për herë të parë në vitin 2026 një renditje të posaçme për kompanitë ajrore që ofrojnë Wi-Fi-n më të mirë në bord.
Në vendin e parë është Qatar Airways, e cila ishte ndër kompanitë e para ajrore që vendosi të përdorë Starlink, shërbimin e internetit satelitor që mundëson lidhje në një pjesë të madhe të globit.
Pas saj vijnë kryesisht kompani amerikane. Delta Air Lines renditet e dyta, United Airlines e treta, Alaska Airlines e katërta, jetBlue Airways e pesta dhe Hawaiian Airlines e gjashta.
Në vendin e shtatë është Singapore Airlines, ndërsa Virgin Atlantic është kompania e vetme europiane që arrin në 10-shen e parë. Kompania britanike njoftoi në korrik 2025 planin për të pajisur të gjithë flotën e saj me Wi-Fi Starlink deri në vitin 2027. Shërbimi është falas për anëtarët e programit Flying Club, regjistrimi në të cilin është gjithashtu pa pagesë.
Në vendin e nëntë renditet kompania tajvaneze EVA Air, ndërsa Emirates nga Emiratet e Bashkuara Arabe mbyll dhjetëshen.
Renditja u publikua nga Skytrax në kuadër të World Airline Awards. Kjo kategori u përfshi për herë të parë në çmimet e vitit 2026, ndërsa World Airline Awards zhvillohen që prej vitit 1999 dhe bazohen në sondazhe me pasagjerët e kompanive ajrore.
Në renditjen e përgjithshme të kompanive ajrore për vitin 2026, Singapore Airlines u shpall kompania më e mirë ajrore, e ndjekur nga Qatar Airways dhe Cathay Pacific Airways. Turkish Airlines ishte kompania europiane më e lartë në renditje, në vendin e pestë, ndërsa Air France u rendit e shtata.
10 kompanitë ajrore me Wi-Fi-n më të mirë në bord:
1.Qatar Airways
2.Delta Air Lines
3.United Airlines
4.Alaska Airlines
5.jetBlue Airways
6.Hawaiian Airlines
7.Singapore Airlines
8.Virgin Atlantic
9.EVA Air
10.Emirates
