Kanadaja më në fund regjistroi fitoren e saj të parë në Kupën e Botës, duke shkatërruar Katarin me rezultat 6-0 në Vancouver.
Ylli absolut i mbrëmjes ishte Jonathan David. Sulmuesi 26-vjeçar i Juventusit reagoi në mënyrën më të mirë pas paraqitjes së dobët që kishte shkaktuar shumë kritika, duke realizuar het-trik dhe duke hyrë në histori.
Davidi shënoi golin e tij të parë në Kupën e Botës me një volej spektakolar, ndërsa goli i dytë erdhi pas një reagimi të shpejtë në zonë. Golin e tretë, që vulosi një natë historike, e realizoi pas një lëvizjeje të shkëlqyer dhe një finalizimi të qetë.
Me këtë tregolësh, Jonathan David u bë vetëm futbollisti i dytë nga zona CONCACAF që arrin një het-trik në Kupën e Botës. I pari dhe i vetmi deri tani kishte qenë amerikani Bert Patenaude në vitin 1930, plot 96 vite më parë.
Por rekordet nuk mbaruan këtu. Me gjashtë golat e realizuar ndaj Katarit, Kanadaja u bë kombëtarja e parë jashtë Evropës dhe Amerikës së Jugut që shënon pesë ose më shumë gola në një ndeshje të Kupës së Botës.
Pas një fillimi me barazim në turne, kanadezët dhanë një përgjigje të fuqishme dhe treguan se mund të jenë një nga surprizat më të mëdha të këtij Botërori. /ET

