Lëvizja Vetëvendosje po e portretizon situatën politike si një front të bashkuar kundër saj, megjithëse vëzhguesit thonë se ky narrativ është më shumë strategjik se real.
Kriza politike në qendër është thelluar nga pamundësia e VV-së për të gjetur partnerë koalicioni, ndërsa kritikat ndaj kreut të partisë, Albin Kurti, lidhen me taktizime dhe përpjekje për të krijuar realitete të reja juridike përmes krizave.
Përveç disa rezultateve pozitive në ekonomi dhe punësim, qeverisja e Kurtit është karakterizuar edhe nga tensionet me aleatët perëndimorë.
“Të gjithë janë bashkuar kundër nesh”, thotë Albin Kurti duke përshkruar skenën politike në Kosovë sipas Lëvizjes së tij Vetëvendosje. Për partinë më të madhe në vend, çdo veprim i opozitës është një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj saj. Por për disa vëzhgues, ky perceptim është më shumë një zgjedhje strategjike e Vetëvendosjes sesa pasqyrë e realitetit politik.
Natën e rundit të dytë të zgjedhjeve lokale, më 9 nëntor, kreu i Vetëvendosjes trumbetoi fitoren e partisë së tij në shtatë komuna të Kosovës, përkundër atyre që ai i quajti kushte të pazakonta politike.
“I falënderoj kandidatët tanë, ekipet e tyre, shtabet zgjedhore dhe aktivistët tanë, të cilët kanë pasur një betejë të jashtëzakonshme, meqenëse në të gjitha këto raste, të gjithë të tjerët janë bashkuar kundër Vetëvendosjes”, tha Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë.
Në vazhdën e këtij diskursi, ai edhe në një postim në Facebook, ku falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen në balotazh, tha se Vetëvendosjen “s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve”.
Këtë qasje e përforcoi edhe bashkëpartiaku i tij, Xhelal Sveçla, i cili humbjen e Vetëvendosjes në Prishtinë e cilësoi si rezultat të “koalicionit të pazareve”, e jo ideve.
Në një postim në Facebook, ai shkroi se “koalicioni LDK-PDK-AAK, oligarkë e disa kuazimedia do t’i kushtojnë më së shumti qytetarit. Mbetet që angazhimi ynë të minimizojë dëmin e zvogëlojë çmimin, gjithmonë në të mirë të qytetarit e shoqërisë”. m.p.
