Një alarm për zjarr brenda ambienteve të Pentagon ‘ngriti në këmbë’ Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së, por pas verifikimeve rezultoi se nuk kishte asnjë emergjencë.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, konfirmoi se sistemet brenda ndërtesës kishin “detektuar një problem me cilësinë e ajrit, i cili kërkon masa paraprake derisa të përcaktojmë shkallën e seriozitetit të tij”.
“Departamenti po zbaton protokollet standarde të mbrojtjes, përfshirë një urdhër për qëndrim në ambiente të sigurta. Ekipet e reagimit janë në vendngjarje dhe të gatshme për të mbështetur personat që ndodhen brenda ndërtesës”, tha ai.
Përveç zjarrfikësve, në veprim u vendos edhe ekipi i reagimit ndaj materialeve të rrezikshme i Pentagon Force Protection Agency, ndërsa oficerët e policisë të pranishëm në ndërtesë ishin pajisur me maska kundër gazit dhe veshje të plota mbrojtëse kimike.
Sipas dy burimeve të cituara nga CNN, izolimi kishte përfshirë katet nga i dyti deri në të pestin dhe korridoret nga i katërti deri në të shtatin e kompleksit të madh ushtarak. Pavarësisht se alarmi u shpall i përfunduar, kontrollet shtesë do të kërkojnë “disa orë” për t’u përmbyllur./mxh
