Me rikthimin e Fantasy Bra, sytjenave luksoze të Victoria’s Secret, të zbukuruara me gurë të çmuar dhe me një çmim marramendës, marka kishte nevojë për një modele që jo vetëm të ishte në qendër të vëmendjes, por edhe ta tejkalonte momentin.
Për këtë u zgjodh Kylie Jenner, yllin e reality show-ve, e kthyer në sipërmarrëse në industrinë e bukurisë, e cila, me 380 milionë ndjekës në Instagram, është një nga personazhet më të njohura të platformës.
Kjo ishte hera e parë që marka prezantonte Fantasy Bra në pasarelë që nga viti 2018. Jenner, 29 vjeçe, u shfaq në pasarelë me një minifund të tejdukshëm, taka transparente dhe krahë të bardhë me pupla. Megjithatë, vëmendjen kryesore e morën sytjenat Fantasy Bra.
Për rikthimin e tyre madhështor, marka u kujdes që dizajni të ishte vërtet i jashtëzakonshëm. Sytjenat janë të zbukuruara me 4 mijë e 410 diamante natyrale, të vendosura rreth një diamanti të verdhë 75,54 karatësh, me ngjyrë të verdhë intensive, të kategorisë Fancy Vivid. Për realizimin e tyre u deshën më shumë se 1 mijë orë punë nga 15 artizanë, ndërsa produkti i përfunduar peshon pak më pak se 1,8 kilogramë. Kostoja totale? Plot 50 milionë dollarë, duke shënuar çmimin më të lartë të Fantasy Bra deri më sot, rreth 35 milionë dollarë më shumë se modelet e mëparshme.
“Një nga idetë kryesore të spektaklit ishte krijimi i një euforie të jashtëzakonshme te fansat”, tha Adam Selman, drejtori kreativ i Victoria’s Secret.
“Fantasy Bra ishte një nga elementet më të kërkuara nga publiku pas spektaklit të vitit të kaluar. Prandaj menduam se si mund ta realizonim këtë në një mënyrë vërtet argëtuese dhe të ekzagjeruar. Sepse pikërisht kjo është: një krijim bizhuterish dhe mjeshtërie artistike jashtëzakonisht i kushtueshëm. Është pothuajse në nivelin e një vepre muzeale.”
Sa i përket zgjedhjes së Jenner, Selman shpjegoi se ajo është një “fuqi e madhe kulturore”.
“Kylie e tejkalon modën, kulturën, televizionin dhe çdo kategori të vetme. Kjo është pikërisht ajo që bëjmë edhe ne. Spektakli është kaq madhështor, është një formë e vërtetë argëtimi dhe mendoj se ajo është një figurë e përkryer për ta çuar përpara këtë ide. Ajo ka krijuar kulturën e saj, dhe sa njerëz mund ta thonë këtë për veten? Mendoj se është një kombinim interesant që po u ofrojmë fansave: po u japim atë që duan, me këtë Fantasy Bra të jashtëzakonshme, dhe do ta prezantojmë përmes një figure të papritur, me një numër të madh ndjekësish dhe ndikim të jashtëzakonshëm kulturor. Mendoj se është diçka argëtuese dhe plot energji pozitive, një mënyrë ndryshe për të festuar, që publiku nuk e pret.”
Për t’u siguruar që sytjenat të zbukuroheshin me një numër mbresëlënës gurësh vezullues, Selman bashkëpunoi me një emër të njohur të industrisë së bizhuterive, Jacob Arabo, themeluesin e markës Jacob & Co.
“Victoria’s Secret përfaqëson vetëbesimin, bukurinë dhe lirinë për të shprehur veten”, tha Arabo në një intervistë.
“Ata ndërtuan një markë që u bë pjesë e kulturës amerikane dhe ndryshuan mënyrën se si njerëzit e shihnin kategorinë e të brendshmeve. Kjo është ajo që e bën modën amerikane kaq të veçantë. Ekziston liria për të ëndërruar në përmasa të mëdha, për të marrë rreziqe dhe për të krijuar diçka që nuk është realizuar kurrë më parë.”
Kur Victoria’s Secret iu drejtua Arabo-s, përgjigjja e stilistit ishte menjëherë “po”. Ai ka krijuar bizhuteri për emra të njohur si Madonna, Rihanna, Elton John dhe Victoria Beckham.
“Victoria’s Secret mori diçka kaq të thjeshtë si një palë sytjena dhe e shndërroi në një krijim të nivelit më të lartë të bizhuterive luksoze”, tha ai.
“Askush nuk po bënte diçka të tillë në atë kohë. Ajo bashkoi dy botë, modën dhe bizhuteritë luksoze, në një mënyrë që nuk e kisha parë kurrë më parë.”
Arabo tregoi se kishte studiuar modelet e mëparshme për të parë se si mund ta zhvillonte më tej konceptin.
“Vizioni im ishte të krijoja një bizhuteri luksoze që mund të vishej si sytjena. Pa pëlhurë, vetëm ar dhe diamante”, shpjegoi ai.
Më shumë se 4 mijë e 400 diamantet u realizuan në shtatë lloje prerjesh: në formë engjëlli, zemre, dardhe, marquise, ovale, rrezatuese dhe të rrumbullakët brilante. Për vendosjen e tyre u përdorën katër teknika të ndryshme, të projektuara për të nxjerrë në pah shkëlqimin e diamanteve.
Fantasy Bra ka një histori të gjatë, që shtrihet në tri dekada. Tradita nisi në vitin 1996, kur modeli i parë u prezantua në një reklamë të një reviste të shtypur, i veshur nga Claudia Schiffer, dhe kushtonte 1 milion dollarë.
Ndër modelet më të spikatura ndër vite ishte Millennium Bra i vitit 1999, me vlerë 10 milionë dollarë, i veshur nga Heidi Klum; Red Hot Fantasy Bra i vitit 2000, me vlerë 15 milionë dollarë, i veshur nga Gisele Bündchen dhe që mbajti rekordin si më i shtrenjti deri këtë vit; si dhe modeli i fundit, Atelier Swarovski Fantasy Bra, me vlerë 1 milion dollarë, i veshur nga Elsa Hosk në vitin 2018.
Sigurisht, Fantasy Bra është në thelb edhe një strategji marketingu, por fakti është se funksionon. Kombinimi i një modeleje të bukur me një sytjena të mbuluar me gurë të çmuar vazhdon të ngjallë interes të jashtëzakonshëm dhe të mahnitë publikun. Megjithatë, kjo nuk e zbeh faktin se realizimi i saj kërkon edhe një mjeshtëri të jashtëzakonshme teknike.
Selman e krahason projektin me inxhinierinë, ndërsa Arabo iu përkushtua realizimit me të njëjtin nivel përpikërie.
“Sfida më e madhe ishte të siguronim që sytjenat të ishin të rehatshme për t’u veshur, duke ruajtur njëkohësisht besnikërinë ndaj dizajnit”, tha ai. “Duhet mbajtur mend se këto sytjena janë tërësisht prej ari dhe diamantesh, pa asnjë pëlhurë. Prandaj, gjetja e përmasave të duhura dhe sigurimi që ato të lëviznin natyrshëm me trupin nuk ishte e lehtë.”
Ekipi mori përmasat e sakta të Kylie Jenner dhe, mbi këtë bazë, ndërtoi një model të përshtatur posaçërisht për të, duke bërë rregullime të vazhdueshme.
“Edhe kur ke përmasat e sakta, ajo që duket mirë në letër nuk funksionon gjithmonë njësoj në trup”, theksoi Arabo. “Çdo linjë e trupit, çdo diamant dhe çdo pjesë ari duhej të vendosej me kujdes, në mënyrë që sytjenat të ishin njëkohësisht të bukura dhe të rehatshme.”
Pavarësisht emrit të bujshëm të Kylie Jenner dhe çmimit marramendës të krijimit, Selman tha se qëllimi i vërtetë i gjithë kësaj nisme është mjaft i thjeshtë.
“Është për fansat. Vërtet, është për fansat!”/mxh
