Last Updated on 15/10/2025 by EL
Banesa e liderit historik të Partisë Demokratike këtë 15 tetor është mbushur me buqeta me lule blu dhe të bardha, ngjyrat simbol të demokracisë.
Mbështetës të shumtë janë mbledhur bashkë për t’i uruar Berishës jetë të gjatë, shëndet dhe forcë në rrugëtimin e tij politik. Siç shihet dhe në videon e mëposhtme ata janë pritur në shtëpi nga vetë lideri demokrat, i cili ka dalë buzagaz për t’i takuar dhe falenderuar për gjestin e tyre.
“Mirë se erdhët, mirë se erdhët”, dëgjohet t’i thotë Berisha, teksa ka shtrënguar duart dhe ka pranuar lulet e mbështetësve të tij.
Ish-kryeministri Sali Berisha feston sot 81 vjetorin e lindjes! Ashtu sikurse dhe çdo vit, mesazhin me ndjekësit në këtë ditëlindje të tij ai e ka shpërndarë krah bashkëshortes, Liri Berishës.
Në llogarinë e tij në “Facebook”, lideri i Partisë Demokratike shprehu mirënjohje ndaj Zotit, familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë mbështetur gjatë jetës dhe karrierës së tij.
“Sot 81 vjeç! Mirënjohje të pakufishme Zotit të Madh, familjes time, miqve, bashkëpunëtorëve, dashamirësve dhe mbështetësve të betejave të mia që me dashurinë, ndihmën, guximin e përkushtimin e tyre ma bëjnë vjeshtën, stinën kurorë të jetës time!”, shkruan Berisha.
Pavarësisht moshës dhe sfidave me drejtësinë, ai vazhdon të mbetet një figurë qendrore në kampin opozitar dhe të ndjekë zhvillimet politike me intensitet dhe pa u lodhur./e.t
