Last Updated on 03/08/2026 by Monika
Tre helikopterë të Forcave Ajrore u angazhuan njëkohësisht në operacionin për izolimin dhe shuarjen e zjarreve në territorin e bashkive Delvinë dhe Finiq.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes vlerësoi punën e pilotëve të Forcave Ajrore dhe të gjithë efektivëve të angazhuar në përballimin e situatës, duke theksuar se ndërhyrja e koordinuar nga ajri dhe toka bëri të mundur vënien nën kontroll të flakëve.
Sipas ministrit, operacioni u zhvillua në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura, si dhe strukturat vendore e qendrore.
Në mesazhin e tij, ai nënvizoi se çdo ndërhyrje dhe çdo fluturim kishte si qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurive natyrore të rrezikuara nga zjarret.
Ministri i Mbrojtjes shprehu mirënjohje për pilotët, zjarrfikësit dhe efektivët e Forcave të Armatosura, duke vlerësuar profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e tyre gjatë operacionit për shuarjen e flakëve./mxh
