Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Gjermania duhet “të marrë veten në dorë” për të përballuar sfidat e mëdha ekonomike dhe strukturore, duke paralajmëruar se vendi rrezikon të mbetet prapa nëse nuk kryen reforma të thella.
Duke folur në një aktivitet me sindikatat në Berlin, Merz tha se Gjermania nuk është modernizuar mjaftueshëm për vite me radhë dhe tani po paguan çmimin e vonesave në fusha si demografia dhe digjitalizimi.
Ai theksoi se problemet aktuale janë rezultat i dështimeve të akumuluara ndër vite dhe se vendi duhet të përballet me reforma të vështira, sidomos në sistemin e kujdesit shëndetësor dhe atë të pensioneve.
Në fjalimin e tij, Merz propozoi kufizim të shpenzimeve në sektorë të ndryshëm dhe rishikim të kontributeve dhe pagesave në sistemin shëndetësor, duke shkaktuar reagime të përziera dhe edhe kundërshtime nga audienca.
Ai shtoi se sfidat nuk lidhen me qëllime politike, por me faktorë si demografia dhe “matematika ekonomike”, duke theksuar se sistemi aktual i pensioneve nuk është i qëndrueshëm në afatgjatë.
Fjalimi u prit me fishkëllima dhe kundërshtime nga disa pjesëmarrës, çka reflekton debatet e forta politike në Gjermani për ritmin e reformave ekonomike dhe sociale.
Qeveria e Merz-it po përballet me presion në rritje për të ringjallur ekonominë më të madhe të Evropës, e cila pas dy vitesh recesioni ka shfaqur shenja të brishta rimëkëmbjeje, por mbetet e rrezikuar nga faktorë globalë si tensionet tregtare dhe kriza energjetike./mxh
