Një video disa sekondëshe e deputetes së Partisë Socialiste, Sara Mila, e shkëputur nga mbledhja e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme më 21 nëntor, është bërë virale në rrjet duke u servirur si “provë” se ajo miratonte projektligje pa i lexuar. Por verifikimi i mbledhjes së plotë tregon një situatë krejt të ndryshme.
Në këtë mbledhje u diskutua projektligji i propozuar nga deputetët Bora Muzhaqi dhe Taulant Balla për ndryshime në ligjin “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”. Deputetja Sara Mila, në cilësinë e relatores së mazhorancës, paraqiti në mënyrë të detajuar amendamentet e hartuara së bashku me sekretariatin teknik të komisionit.
“Dua t’ju lexoj me radhë… është praktikisht puna e përbashkët me sekretariatin teknik dhe shërbimet e përafrimit. Kam nderin t’i propozoj këto si amendamente”, u shpreh Mila para se të vijonte me argumentimin e plotë për nevojën e ndryshimeve në ligjin aktual.
Regjistrimi i plotë i mbledhjes, i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, tregon qartë se videoja e qarkulluar në rrjet është e shkëputur nga konteksti dhe nuk përfaqëson realisht diskutimin.
Ky është një shembull tjetër se si fragmentet e shkurtra, të përdorura për viralitet dhe narrativë politike, mund të deformojnë të vërtetën dhe të keqinformojnë publikun./kb
