Martesat po vijnë gjithnjë e në ulje për faktorë që lidhen me emigracionin dhe rënien e të rinjve që redukton bazën e popullsisë që martohet.
Presioni ekonomik është bërë një faktor vendimtar si për mos-lidhjen në martesë ashtu edhe për divorcet. Të rinjtë përballen me paga të ulëta, qira të larta, apartamente të papërballueshme për tu blerë dhe vështirësi serioze për të krijuar kushte të qëndrueshme për një familje. Si rrjedhojë martesa shtyhet në kohë ose shmanget krejtësisht. Nga ana tjetër divorcet po vijnë në rritje nga vështirësitë financiare që nxisin tensione edhe brenda familjeve.
Shumë çifte jetojnë të ndarë për shkak të migracionit ekonomik, çka shpesh çon në prishje të martesës ose në moskryerjen e saj. Emigracioni dhe rënia e lindjeve kanë bërë që baza e popullsisë së re brenda vendit të tkurret.
Gjithashtu mentaliteti po ndryshon. Të rinjtë përqendrohen më shumë te karriera dhe pavarësia financiare, duke e shtyrë martesën deri në një moshë më të vonë ose duke preferuar bashkëjetesën pa formalizim.
Nga ana tjetër, pjesëmarrja më e lartë në tregun e punës dhe të ardhurat e pavarura u japin grave më shumë autonomi, duke i bërë më pak të varura nga martesa si mekanizëm ekonomik. Në të njëjtën kohë, kjo rrit edhe gatishmërinë për t’u divorcuar kur marrëdhënia nuk funksionon, duke shmangur sakrificat që dikur konsideroheshin të domosdoshme për ruajtjen e familjes.
Gjithnjë e më shumë, sidomos në zonat urbane, stresi është më i lartë. Ritmi i shpejtë i jetesës dhe mungesa e mbështetjes sociale po shton presionet brenda familjes. Teksa normat shoqërore janë liberalizuar, stigma ndaj divorcit është dobësuar ndjeshëm. Sot, divorci shihet si një zgjidhje e pranueshme dhe jo si dështim, gjë që e bën më të lehtë marrjen e këtij vendimi./monitor.al/kb