Last Updated on 08/09/2026 by Monika
Vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në fshatin Rras, në Njësinë Administrative Ungrej, ku situata paraqitet shqetësuese për banorët e zonës.
Sipas raportimeve nga terreni, aktualisht në zonë janë të paktën pesë vatra aktive, ndërsa flakët po përhapen në disa drejtime.
Gjatë ditës së sotme, strukturat e emergjencës ndërhynë si nga toka, ashtu edhe nga ajri, duke bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll.
Por situata është përkeqësuar sërish gjatë orëve të pasdites. Banorët raportojnë se zjarri është riaktivizuar dhe po avancon në drejtim të zonave të banuara.
Të shqetësuar për përhapjen e flakëve, banorët kërkojnë vijimin e ndërhyrjes nga strukturat e emergjencës, veçanërisht në zonat ku zjarri po i afrohet banesave.
Ndërkohë, mbetet i nevojshëm monitorimi i vazhdueshëm i situatës dhe ndërhyrja për izolimin e vatrave, me qëllim shmangien e përhapjes së mëtejshme të flakëve dhe mbrojtjen e banorëve dhe banesave./mxh
