Last Updated on 20/10/2026 by Monika
Hajdutët shënjestruan pallatin historik të Venaria Reale, në periferi të Torinos në Itali. Ata vodhën 26 ora të shekullit të 18-të, me një vlerë totale prej rreth 150,000 eurosh. Autorët e krimit arritën t’i merrnin sendet pavarësisht masave të shtuara të sigurisë, alarmeve dhe pranisë së rojeve të armatosura.
Orët, të prodhimit anglez dhe francez, ishin të punuara nga ari dhe smalti dhe mbaheshin në një vitrinë të veçantë në Sallën e Audiencës së Dukës së Savojës.
Sipas informacioneve, thuhet se në vjedhje kanë marrë pjesë të paktën tre persona, të cilët hynë me forcë në pallat pak pas orës 2 të mëngjesit, me fytyrat e mbuluara.
Veprimet e tyre besohet se janë regjistruar nga kamerat e sigurisë së kompleksit. Pamjet filmike po shqyrtohen nga hetuesit, të cilët po përpiqen të hedhin dritë mbi lëvizjet e autorëve dhe të përcaktojnë se si është kryer vjedhja.
Autoritetet po hetojnë se si autorët e krimit fituan akses në brendësi të pallatit dhe nëse ata e dinin paraprakisht planimetrinë e dhomave dhe funksionimin e sistemeve të sigurisë.
26 orët ishin pjesë e një koleksioni që kishte rënë në zotërim të Familjes Mbretërore të Savojës në vitin 2012, pas një donacioni nga trashëgimtarët e Giorgio Acorneros. Koleksioni përfshinte gjithashtu 24 kuti historike duhani, të cilat nuk u hoqën gjatë vjedhjes./mxh
