Një rikthim në historinë e njeriut që humbi shpirtin në kërkim të pushtetit dhe që la pas një fjalë – “quisling” – që ende përmendet me përbuzje.
Përgatiti: Leonard Veizi
Më 24 tetor 1945, në oborrin e burgut të Akershus në Oslo, një burrë 58-vjeçar priste fundin e tij. Quhej Vidkun Quisling, ish-oficer, politikan dhe, për fat të keq, figura më e urryer në historinë moderne të Norvegjisë. Me një breshëri plumbash u mbyll jeta e njeriut që kishte shitur vendin e tij gjatë pushtimit nazist – një emër që më pas do të hynte në çdo fjalor të botës si sinonim i fjalës “tradhtar”.
Nga ushtarak në politikan
Vidkun Quisling, – mbiemri i të cilit vjen në shqip si: Kuisling, – lindi më 1887, në një familje norvegjeze të respektuar. Ai u formua si oficer i ushtrisë dhe shërbeu si diplomat në Bashkimin Sovjetik gjatë viteve 1920. I pajisur me kulturë dhe ambicie, Quisling krijoi bindjen se Norvegjia kishte nevojë për një udhëheqës të fortë që të shpëtonte vendin nga “kaosi demokratik”. Këto ide do ta afronin me frymën autoritare që po përhapej në Evropë gjatë viteve ’30.
Në 1933, ai themeloi Partinë Kombëtare të Njësisë (Nasjonal Samling) – një lëvizje e frymëzuar nga fashizmi italian dhe nazizmi gjerman. Megjithatë, partia e tij mbeti e vogël dhe nuk fitoi mbështetje të gjerë në popull.
Pushtimi dhe “qeveria Quisling”
Kur Gjermania naziste pushtoi Norvegjinë në prill të vitit 1940, Quisling pa mundësinë e tij të artë. Ai shpalli veten Kryeministër të Norvegjisë, pa asnjë mandat ligjor, duke bashkëpunuar hapur me pushtuesit.
Ky veprim e tronditi kombin norvegjez. Mbreti Haakon VII dhe qeveria legjitime u arratisën në Britaninë e Madhe, ndërsa Norvegjia u vu nën administratën e nazistit gjerman Josef Terboven. Nga viti 1942 deri më 1945, Quisling drejtoi një qeveri kukull, e cila vepronte nën urdhrat e Berlinit.
Në shërbim të pushtuesve
Nën regjimin e tij, Norvegjia humbi pavarësinë politike. Ministrat e partisë së tij të ekstremit të djathtë morën kontrollin e institucioneve, dhe bashkëpunimi me nazistët u bë i plotë.
Qeveria e Quisling-ut mori pjesë në zbatimin e politikave racore të Gjermanisë naziste, përfshirë deportimin e hebrejve norvegjezë drejt kampeve të përqendrimit – një akt që e njollosi përjetësisht emrin e tij.
Në të njëjtën kohë, shumë norvegjezë iu bashkuan lëvizjes së rezistencës, duke luftuar kundër regjimit të tij dhe pushtuesve gjermanë.
Rënia dhe dënimi
Kur forcat aleate dhe rezistenca norvegjeze çliruan vendin në maj 1945, Quisling u arrestua menjëherë. Ai u gjykua për tradhti kombëtare, bashkëpunim me armikun dhe pjesëmarrje në krime kundër njerëzimit.
Pas një procesi të gjatë, gjykata e dënoi me vdekje me pushkatim. Ekzekutimi i tij më 24 tetor 1945 shënoi fundin e një kapitulli të errët në historinë e Norvegjisë.
Emëri që u bë simbol
Pas vdekjes së tij, fjala “quisling” hyri në përdorim ndërkombëtar për të përshkruar çdo person apo qeveri që bashkëpunon me pushtuesit e huaj. Deri sot, ajo mbetet sinonim i tradhtisë, oportunizmit dhe nënshtrimit politik.
Në Norvegji, figura e tij është kujtesë e gjallë se edhe në kohë lufte, armiku më i rrezikshëm mund të vijë nga brenda vetë kombit.
