Vajza e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Argita Malltezi, ka deklaruar se nuk është pjesë e garës për drejtimin e partisë, të paktën për momentin.
E pyetur gjatë protestës që Partia Demokratike zhvilloi përballë Kryeministrisë nëse do të jetë pjesë e garës për kryetar të PD-së, ajo u përgjigj shkurt:
“Jo, për momentin nuk e mendoj”,-tha Malltezi.
Ndërsa e pyetur për një skenar tjetër të mundshëm protestash, Malltezi theksoi se kjo është çështje e vendimmarrjes politike, duke mos dhënë detaje të mëtejshme:
“Skenari është çështje e vendimmarrjes politike, nuk mund të them më shumë për këtë. Por, e theksoj që më impresionon qëndresa e këtyre njerëzve që nuk zmbrapsen, durojnë gazin lotsjellës dhe vijnë sërish. Kjo është shpresë për mua”.
Argita Malltezi u shpreh gjithashtu se protestuesit, përmes qëndresës së tyre të vazhdueshme, do të arrijnë objektivat e tyre.
“Gjëja më e vështirë nuk është të bësh një gjë të madhe një herë, por të qëndrosh në mënyrë të vazhdueshme. Durimi dhe qëndresa e vazhdueshme është gjëja më e vështirë dhe të gjithë këta njerëz që mbushin sheshin në mënyrë të vazhdueshme sa herë ka protestë ose ngritje për një kauzë të caktuar, janë njerëz qëndrestarë. Pa diskutim që do ta thyejnë murin dhe do e arrijnë qëllimin e tyre”, tha ajo për “A2 CNN”.
