Shtetet e Bashkuara kanë kryer një tjetër sulm kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Oqeanin Paqësor. Lajmi është konfirmuar nga Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, i cili tha se gjashtë persona janë vrarë gjatë dy goditjeve të ndara të ushtrisë amerikane.
Sipas Hegseth, të dyja anijet ishin në pronësi të “organizatave të shpallura terroriste” dhe po transportonin lëndë narkotike përgjatë një rruge të njohur për trafik ndërkombëtar në Paqësorin Lindor.
Në deklaratën e tij, Hegseth theksoi se mjetet lundruese ishin identifikuar përmes inteligjencës ushtarake dhe se operacionet synojnë të ndërpresin rrjetet e trafikut të drogës që furnizojnë tregun amerikan.
Që prej fillimit të fushatës më 2 shtator, ushtria amerikane ka kryer 19 sulme, duke shkatërruar 20 anije dhe duke vrarë gjithsej 76 persona.
Tre persona kanë mbijetuar nga këto operacione. Dy prej tyre janë ndaluar përkohësisht nga marina amerikane dhe më pas janë riatdhesuar, ndërsa një tjetër rezulton ende i zhdukur pas kërkimeve të marinës meksikane.
Administrata e presidentit Trump ka deklaruar gjithashtu se Shtetet e Bashkuara ndodhen tashmë në një “konflikt të armatosur” kundër karteleve të drogës, duke i konsideruar personat e vrarë si “luftëtarë të paligjshëm” dhe duke e bazuar veprimin në një vendim të klasifikuar të Departamentit të Drejtësisë./MXH

