Virgin Trains ka kaluar një tjetër pengesë të rëndësishme drejt nisjes së shërbimeve hekurudhore nga Londra drejt Evropës përmes Eurotunelit. Kompania ka marrë miratimin për të operuar deri në 20 udhëtime vajtje-ardhje në ditë përmes Kanalit Anglez nga viti 2030, duke e bërë gjithnjë e më reale fundin e monopolit gati 30-vjeçar të Eurostar.
Rregullatori britanik i hekurudhave, Office of Rail and Road (ORR), ka miratuar operimin e trenave Virgin për periudhën nga 1 tetori 2030 deri më 31 dhjetor 2040. Kompania planifikon të lidhë Londrën me Parisin, Brukselin dhe Amsterdamin, duke përdorur të njëjtat stacione ku operon aktualisht Eurostar.
Hyrja e Virgin Trains në këtë treg do t’u jepte udhëtarëve një alternativë të re për të kaluar nga Britania në Evropë me tren dhe do të sillte konkurrencë për Eurostar, i cili prej rreth tre dekadash ka dominuar transportin e pasagjerëve përmes Eurotunelit. Kompania ka siguruar gjithashtu akses në depon Temple Mills në Londër, ku do të parkojë dhe mirëmbajë trenat. Depoja është e vetmja e lidhur me High Speed 1, linjën që lidh Londrën me Eurotunelin në Kent.
Themeluesi i Virgin, Sir Richard Branson, e ka cilësuar projektin si një mundësi për t’i dhënë fund “monopolit 30-vjeçar” dhe për të sjellë një alternativë të re në linjat hekurudhore mes Britanisë dhe Evropës. Megjithatë, Virgin Trains duhet të përmbushë ende disa kërkesa përpara se të nisë shitjen e biletave. Kompania duhet të marrë miratimet e sigurisë nga autoritetet britanike dhe ato të Bashkimit Evropian, si dhe të sigurojë akses në rrjetet hekurudhore përgjatë itinerareve të planifikuara. Nëse procedurat përfundojnë me sukses, nga viti 2030 udhëtarët mund të kenë një rival të ri të Eurostar për udhëtimet Londër–Paris, Londër–Bruksel dhe Londër–Amsterdam.
