Vivienne Jolie po eksploron gjithnjë e më shumë pasionin e saj për artin, duke dalë personalisht në treg për të prezantuar dhe shitur punimet e krijuara prej saj.
18-vjeçarja, vajza e Angelina Jolie dhe Brad Pitt, u shfaq në një treg të rrobave të përdorura në Los Angeles, ku kishte ngritur një stendë me krijimet e saj artistike. Në këtë aktivitet ajo nuk ishte vetëm, pasi pranë saj qëndroi vëllai binjak, Knox, i cili e shoqëroi dhe e mbështeti gjatë gjithë kohës.
Sipas “Daily Mail”, Vivienne i prezanton punimet e saj me emrin artistik “The Tulip Fields”. Në stendë ajo kishte ekspozuar kartolina të ilustruara me vizatimet e saj, si edhe afishe, me çmime që varionin nga 10 deri në 25 dollarë.
E reja u pa duke komunikuar drejtpërdrejt me vizitorët dhe klientët, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e punimeve të saj gjetën blerës.
Për këtë dalje, Vivienne zgjodhi një veshje të thjeshtë dhe komode, me një bluzë të zezë dhe pantallona të gjera blu me kuadrata. Ndërsa Knox u shfaq me një palë xhinse me detaje lulesh të qëndisura dhe një bluzë të bardhë.
Dalja e saj vjen pak kohë pasi Vivienne është përmendur në media edhe për vendimin për të përdorur një emër pa mbiemrin e babait të saj, Brad Pitt, duke tërhequr vëmendjen e publikut edhe për mënyrën se si po ndërton identitetin e saj personal dhe artistik./mxh
