Vizita e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Preshevë dhe Bujanoc ka shkaktuar reagime të forta në skenën politike serbe. Përfaqësues të opozitës, por edhe subjekte të tjera politike, kanë kritikuar mënyrën e organizimit të vizitës, si dhe atë që e kanë cilësuar si qëndrim të heshtur të autoriteteve shtetërore të Beogradit ndaj kësaj ngjarjeje.
Kryetari i Lëvizjes Popullore të Serbisë (NPS), Miroslav Aleksic, gjatë një adresimi në Kuvendin e Serbisë deklaroi se nuk ka asgjë kundër vizitave të liderëve të huaj te pakicat kombëtare, por akuzoi qeverinë se ka dështuar në garantimin e sovranitetit të vendit.
“A është Serbia shtet sovran apo jo?”, pyeti Aleksic, duke kritikuar edhe faktin se, sipas tij, Begaj nuk vizitoi Beogradin, ashtu siç kishte bërë më herët kryeministri shqiptar Edi Rama. “Ajo që po bëni është një rrezik i madh, sepse tregoni se Serbia nuk mund të mbrojë as minimumin e sovranitetit që ka”, raportoi Danas.
Aleksic kritikoi gjithashtu edhe mediat proqeveritare në Serbi, duke thënë se ato nuk kanë raportuar asnjë fjalë për vizitën e presidentit shqiptar.
Edhe deputeti i së njëjtës parti, Aleksandar Ivanovic, kërkoi sqarime lidhur me mënyrën se si ishte organizuar siguria e Presidentit Begaj gjatë vizitës në Bujanoc. Ai paraqiti një fotografi nga ceremonia e pritjes, ku, sipas tij, shiheshin persona të dyshimtë.
“Në këto fotografi nuk ka policinë tonë, në ndërtesën e komunës është vendosur flamuri shqiptar dhe kjo është një çështje shumë serioze”, deklaroi Ivanovic. “Nëse kishte nevojë për sigurim të armatosur, atëherë duhej të ishin policët tanë, nga njësitë tona.”
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë (DSS), Millosh Jovanovic, e interpretoi vizitën e Begajt si pjesë të aspiratave kombëtare shqiptare.
“Kjo tregon se shqiptarët nuk heqin dorë nga ideja e të ashtuquajturës Shqipëri natyrale”, tha ai, duke shtuar se “pas Kosovës vjen ajo që ata e quajnë ‘Kosova Lindore’, e më pas do të vijnë në rend dite edhe rajoni i Rashkës dhe Vojvodina”.
Reagim pati edhe nga Lidhja Monarkiste – Lëvizja për Mbretërinë e Serbisë, e cila akuzoi autoritetet shtetërore për dështim në mbrojtjen e sovranitetit të vendit.
Bashkëkryetari i kësaj lëvizjeje, Nenad Tomashevic, e cilësoi vizitën si “një turp të paprecedentë për Serbinë”, duke shtuar se “Serbisë i duhet një pushtet që do të mbrojë me përpikëri sovranitetin, dinjitetin kombëtar dhe interesat shtetërore”.
Presidenti Bajram Begaj zhvilloi vizitën në Preshevë dhe Bujanoc të mërkurën.
Përmes një postimi në Facebook, ai bëri të ditur se kishte inkurajuar liderët politikë të kësaj treve të bashkoheshin sa herë që bëhet fjalë për interesin kombëtar dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“I inkurajova liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, shkroi Begaj.
Presidenti shqiptar shtoi se, në cilësinë e kreut të shtetit, u kishte garantuar mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare./mxh
