Last Updated on 16/02/2026 by EL
Keyeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë një postim lidhur me takimin me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku ka bërë të ditur se në qendër të bisedimeve kanë qenë marrëveshjet bilaterale dhe zgjerimi i tyre në fusha të reja bashkëpunimi.
Në reagimin e tij, Kurti thekson se dy qeveritë diskutuan mbi mundësitë për të shfrytëzuar më mirë potencialet ekzistuese, si dhe mbi sfidat e përbashkëta që kërkojnë koordinim më të ngushtë institucional. Sipas tij, thellimi i bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror është thelbësor për t’u shërbyer më shumë qytetarëve në të dy republikat.
Kryeministri i Kosovës nënvizoi se mandatet e ripërtërira të dy qeverive krijojnë një mundësi të re për të avancuar projektet e përbashkëta dhe për të forcuar bashkërendimin strategjik mes Kosovës dhe Shqipërisë.
POSTIMI
Mirëprita Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për marrëveshjet bilaterale që kemi dhe fushat se ku mund t’i shtojmë ato, për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojmë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë.
Me mandatet tona të ripërtërira, përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror, le t’u shërbejmë edhe më tej e më shumë qytetarëve në të dy republikat dhe kombit tonë mbarë./et
