Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një vizite në qendrën “Misionaret e Bamirësisë”, ka bërë homazhe për shenjtoren dhe humanisten, Nënë Tereza.
Në një postim në rrjetet e tij sociale, Rubio ka ndarë pamje nga vizita, ndërsa shprehet se Nënë Tereza la një trashëgimi të jashtëzakonshme dhembshurie dhe shërbimi.
“Nënë Tereza la një trashëgimi të jashtëzakonshme dhembshurie dhe shërbimi. Pata nderin të vizitoja sot Misionaret e Bamirësisë për t’i bërë homazh trashëgimisë së saj dhe për të parë shembullin e gjallë të besimit katolik në veprim”, thuhet në postimin e Rubios.
Vizita në “Misionarët e Bamirësisë”/ Rubio
Nënë Tereza themeloi “Misionaret e Bamirësisë” në vitin 1950 në Kalkutë, një kongregacion katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Ato ofronin shtëpi për njerëzit e infektuar nga HIV/AIDS, lebra dhe tuberkulozi; shpërndanin ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtaret duhet t’i përmbahen betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve”./mxh
