Mbahet sot seanca për shqyrtimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
Seanca në Gjykatën e Posaçme të Apelit do të përcaktojë vijimin e masës së sigurisë të vendosur ndaj saj. Bëhet me dije se, kërkesa e ish-drejtoreshës së SHISH-it për ndryshimin e masës së sigurisë do të shqyrtohet nga gjyqtari Florian Kalaja.
Por kush është Vlora Hyseni dhe si u emërua në detyrë?
Hyseni u lind në Kosovë në vitin 1984. Është diplomuar për Drejtësi dhe ka përfunduar studimet Master Shkencor për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Hyseni u dekretua nga presidenti Bajram Begaj më 3 prill të vitit 2023, pasi erdhi si propozim i kryeministrit Edi Rama, më 17 mars të atij viti. Vlora Hyseni ka qenë e angazhuar në udhëheqjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Ajo u shkarkua qershorin e vitit 2021 si zëvendësdrejtuese e AKI-së nga Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani prej të gjitha funksioneve të AKI-së. Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj, dhjetor 2020-prill 2021.
Hyseni ka punuar disa vite në Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës së Kosovës, ku ka qenë drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë e më pas zëvendësdrejtore e këtij institucioni nga viti 2019, për t’u shkarkuar më pas në mesin e vitit 2021 nga presidentja Osmani.
Prapaskenat/ Vlora Hyseni, nga shkarkimi tek Inteligjenca e Kosovës, te ardhja në krye të SHISH-it
Në shtator të vitit 2021, Vlora Hyseni u zgjodh të punonte si këshilltare e kryeministrit Edi Rama. Hyseni rezulton të mos jetë në territorin e Republikës së Shqipërisë, pasi, sipas informacioneve, ndodhet në një pjesëmarrje zyrtare në Azerbajxhan./k.m
