Kryetari i burgosur i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, reagoi ashpër ndaj deklaratës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ai i kërkoi asaj që të mos e vendosë Turqinë në të njëjtin nivel me Rusinë dhe Kinën.
Në një artikull për median POLITICO, Imamoglu shkroi se një krahasim i tillë bie ndesh me realitetet gjeopolitike dhe interesat strategjike të Bashkimit Evropian.
Reagimi i tij vjen pasi von der Leyen deklaroi se Evropa duhet të shmangë rënien nën ndikimin rus, turk ose kinez.
Deklarata e saj u kritikua edhe nga ish-presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili e cilësoi Turqinë si një aleat kyç në NATO dhe një partner të rëndësishëm për çështjen e migracionit.
Ndërkohë, raportuesi i Parlamentit Evropian për Turqinë, Nacho Sánchez Amor, tha se deklaratat janë të papajtueshme me thirrjet për forcimin e bashkëpunimit në siguri dhe mbrojtje.
Pavarësisht se ndodhet në burg, Imamoglu mbetet një nga kundërshtarët kryesorë të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe vazhdon të mbështesë anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian.
Ai pranoi se qeveria turke ka dobësuar shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore, por kritikoi edhe BE-në për mungesë vizioni strategjik dhe për luhatje mes parimeve dhe interesave.
Imamoglu i bëri thirrje BE-së të kuptojë më mirë realitetet sociale dhe historike të Turqisë dhe të shmangë qasjen e bazuar në frikë dhe stereotipe.
Ai është anëtar i Partisë Republikane Popullore dhe u zgjodh për herë të parë kryetar i Stambollit në vitin 2019, ndërsa u rizgjodh në vitin 2024. Në mars të vitit të kaluar, ai u arrestua nga policia turke me akuza për korrupsion, të cilat opozita i konsideron të motivuara politikisht./mxh
