Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se ulja e rolit të energjisë bërthamore në prodhimin e energjisë elektrike në Evropë ishte një gabim strategjik.
Gjatë një fjalimi në një samit për energjinë bërthamore në Boulogne-Billancourt, pranë Parisit, ajo theksoi se në vitin 1990 rreth një e treta e energjisë elektrike në Evropë prodhohej nga centralet bërthamore, ndërsa sot kjo përqindje ka rënë në rreth 15%.
Sipas saj, kjo ishte një zgjedhje politike që në retrospektivë rezulton e gabuar, pasi Evropa ka hequr dorë nga një burim energjie të qëndrueshëm, të përballueshëm dhe me emetime të ulëta.
Von der Leyen njoftoi gjithashtu se Komisioni Evropian po prezanton një strategji të re për zhvillimin e reaktorëve të vegjël modularë bërthamorë, të njohur si SMR. Qëllimi është që kjo teknologji të jetë funksionale në Evropë në fillim të viteve 2030 dhe të luajë një rol të rëndësishëm krahas reaktorëve tradicionalë.
Për të nxitur investimet në këtë sektor, Bashkimi Evropian do të krijojë një garanci financiare prej 200 milionë eurosh për teknologjitë inovative bërthamore. Fondet do të vijnë nga sistemi evropian i tregtimit të emetimeve.
Ajo theksoi gjithashtu se konkurrueshmëria industriale e Evropës lidhet gjithnjë e më shumë me aftësinë për të prodhuar dhe përdorur energji elektrike të bollshme dhe të përballueshme.
Sipas saj, Evropa nuk është prodhuese e naftës apo gazit dhe mbetet shumë e varur nga importet e karburanteve fosile, gjë që e vendos në një pozitë të pafavorshme krahasuar me rajone të tjera të botës.
Von der Leyen shtoi se kriza aktuale në Lindjen e Mesme është një kujtesë e fortë për vulnerabilitetin energjetik të Evropës dhe për nevojën për të rritur prodhimin e energjisë nga burimet bërthamore dhe ato të rinovueshme./mxh
