Last Updated on 12/08/2025 by adminfjala
Nxehtësia ekstreme dhe erërat e forta kanë shkaktuar “vorbulla zjarri” të fuqishme, ndërsa flakët kanë përfshirë disa shtëpi dhe kanë detyruar evakuimin e qindra personave pranë një parku kombëtar të mbrojtur nga UNESCO në Spanjën veriore, njoftuan autoritetet dje.
Sipas tyre, trembëdhjetë vatra të ndara zjarri kanë shpërthyer në rajonin verior të Castile dhe Leon, duke bërë që rreth 700 banorë të evakuohen në gjashtë fshatra të prekur.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm nga temperaturat në rritje, të cilat kanë nxitur përhapjen e flakëve në afërsi të parkut Las Medallas, duke i detyruar zjarrfikësit të tërhiqeshin dhe duke lejuar që zjarret të përpinin shtëpitë në fshatin ngjitur, shtoi Suarez-Quinones.
“Kjo ndodh kur temperaturat arrijnë rreth 40 gradë Celsius (104 gradë Fahrenheit) në një luginë shumë të kufizuar dhe pastaj papritmas zjarri hyn në një zonë më të hapur dhe të oksigjenuar. Kjo prodhon një top zjarri, një vorbull zjarri”, tha ai.
“Ky fenomen shpërthyes dhe i habitshëm ishte shumë i rrezikshëm. Ai ndërpreu të gjithë punën që ishte bërë, duke na detyruar të fillonim praktikisht nga e para”, shtoi ai.
Sipas shkencëtarëve, verat më të nxehta dhe më të thata të rajonit të Mesdheut e vënë atë në rrezik të lartë për zjarre. Sapo fillojnë zjarret, bimësia e thatë dhe erërat e forta mund të shkaktojnë përhapjen e tyre me shpejtësi dhe djegien jashtë kontrollit, duke provokuar ndonjëherë vorbulla zjarri.
Ndërkohë, vala e të nxehtit në Spanjë vijonë me temperatura që pritet të arrijnë deri në 42 gradë Celsius në disa rajone të vendit./e.t
