Last Updated on 04/12/2024 by adminfjala
Diaspora 7-milionëshe e Rumanisë, një nga më të mëdhatë në Evropë, cilësohej dikur një burim votash për partitë dhe kandidatët reformatorë. Por në zgjedhjet e fundit presidenciale, parlamentare dhe evropiane, shumë rumunë që jetojnë jashtë vendit zgjodhën populistët e djathtë, duke vazhduar një prirje që nisi në vitin 2020.
Ndërsa gati 1/3 e rumunëve të mbetur në vend, votuan për partitë ekstremiste më 1 dhjetor, më shumë se gjysma e diasporës zgjodhi të djathtën ekstreme. Diaspora rumune në Britani e ka ndjekur këtë tendencë. Në grupin e Facebook “Rumunët në Mbretërinë e Bashkuar”, postimi i parë që ndesh është një karikaturë poshtëruese që paraqet duke votuar kandidaten presidenciale pro-evropiane dhe reformiste Elena Lasconi, ish-kryebashkiake e Câmpulung Muscel, ish-gazetare dhe fituese e MasterChef.
Teksti që shoqëron foton: “Unë votova. Nga nesër e tutje djemtë do të veshin funde dhe taka për të votuar për mua. Rroftë kanabisi!”. Po në këtë faqe, një ilustrim i krijuar nga Inteligjenca Artificiale, e paraqet kandidatin presidencial të së djathtës Călin Georgescu të veshur një kostum dhe të rrethuar nga ujqër; teksa poshtë shkruhet: ”Sa herë që del në skenë një person inteligjent, ju e njihni atë nga fakti se të gjithë idiotët krijojnë një aleancë kundër tij!”.
Referenca është ndoshta për mediat kryesore, e cila ka gërmuar mbi të kaluarën e Georgescut, që nga fitorja e tij në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 nëntor, duke zbuluar lidhjet e tij me establishmentin politik, por edhe pikëpamjet e tij anti-BE dhe anti-NATO, si dhe teoritë e konspiracionit, njëra prej të cilës pretendon se uji që pijmë nuk është në fakt H2O.
Lasconi dhe Georgescu do të përballen me njëri-tjetrin më 8 dhjetor në balotazh. Në nivel kombëtar, Georgescu mori 23 për qind të votave ndërsa Lasconi 19 për qind. Gati gjysma e rumunëve në Britani votuan për Georgescu dhe vetëm çereku për Lasconin.
Kjo përqindje është e ngjashme në të gjithë diasporën. Përjashtim bën fqinji më i vogël i Rumanisë, Moldavia, ku 56 për qind votuan për Laskonin, ndërsa Georgescu doli i gjashti me vetëm 3 për qind.
Duke e portretizuar veten si një figurë kundër sistemit dhe “pro paqes”, me ëndrra të mëdha për madhështinë rumune, i zemëruar me klasën politike të korruptuar dhe e distancuar nga populli, me “globalistët” dhe vëmendjen e madhe ndaj luftës në Ukrainë, Georgescu frymëzoi shumë njerëz që kanë qenë të zhgënjyer me elitat që e kanë sunduar Rumaninë për 35 vitet e fundit që nga revolucioni i vitit 1989.
Ndërkohë ai ka folur me të rinj rumunë, të cilët kanë frikë se mund të rekrutohen për të luftuar në Ukrainë. Vota për Georgescun, ishte tronditëse për një pjesë të madhe të shoqërisë, pasi ai renditej dobët në sondazhe, dhe në përgjithësi mungonte në debatet televizive.
Duke deklaruar zero shpenzime për fushatën e tij, ai mbeti jashtë vëmendjes së mediave dhe autoriteteve, që ishin më shumë të shqetësuara për udhëheqësit e tjerë të së djathtës si George Simion nga partia AUR, apo eurodeputetja e partisë SOS, Diana Șoșoacă, e cila u ndalua në mënyrë të diskutueshme nga gara presidenciale nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të mungesës së respektimit të saj ndaj “vlerave demokratike, shtetit të së drejtës dhe respektimit të Kushtetutës dhe anëtarësimit të vendit në BE dhe NATO”.
Në zgjedhjet parlamentare të 1 dhjetorit, AUR, SOS dhe POT, një parti e re që mbështet Georgescun, mblodhën së bashku 56 për qind të votave të diasporës, dhe thuajse 1/3 e votave brenda vendit. Në përgjithësi, partitë pro-evropiane morën rreth 70 për qind të votave (edhe pse 13 për qind e tyre kanë shkuar për partitë që nuk e kaluan pragun 5 për qind për hyrjen ne parlament).
“Ne e prisnim që diaspora të votonte për të djathtën ekstreme. Por menduam se votat do të shkonin për AUR dhe Simion apo Șoșoacă sesa Georgescun”- thotë gazetarja rumune Elena Stancu, e cila ka ndjekur diasporën në rritje rumune së bashku me fotografin Cosmin Bumbuț, duke udhëtuar në një furgon kampingu për 5 vite.
Stancu fajëson platfomën TikTok për ngritjen e Georgescut. Disa analiza mediatike dhe të ekspertëve, kanë treguar se Georgescu mbështetej tek llogaritë e rreme dhe pagesat ndaj ndikuesve në rrjet. Gjatë gjithë fushatës, diaspora rumune perëndimore u shënjestrua me përmbajtje që promovonte Călin Georgescun në rrjetet sociale.
Edhe Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare, deklaroi se zgjedhjet përfshinin manipulime nga TikTok dhe ndikimin dashakeq të Rusisë. E megjithatë institucionet e sigurisë nuk arritën ta parandalonin një manipulim të tillë. Vetë TikTok, që në Rumani ka 9 milionë përdorues, mohoi të ketë bërë ndonjë shkelje.
“Ne e pamë se sa të mëdha ishin zhgënjimet e rumunëve të diasporës”- shton Stancu. Ajo flet për dy grupime të ndryshme. Për “diasporën e arsimuar rumune, që është në kërkim të mundësive më të mira të punës apo përvojës së një kulture tjetër”, dhe “për diasporën që u detyrua të largohej nga varfëria e fshatrave të tyre, dhe të bënte punët që perëndimorët nuk duan t’i bëjnë më”.
Ndërsa të parët integrohen shpesh lehtësisht, këta të fundit nuk e mësojnë gjuhën e vendit të tyre të ri, jetojnë në komunitete emigrantësh të izoluara, në kushte të këqija dhe të shqetësuar vetëm për të fituar para sa për të ndërtuar një shtëpi dhe siguruar jetesën e familjes që mbetet pas në vendlindje mijëra kilometra larg.
“Retorika nacionaliste, i kundërvihet ndjenjës së poshtërimit që përjetojnë përditë këta Njerëz. Rumania është fajtore për dështimin e këtyre njerëzve. Por fajtore janë edhe vendet perëndimore, ku këta njerëz trajtohen si inferiorë dhe thjesht si krahë pune”- thekson Stancu, megjithëse mendon se vota për Georgescun është më shumë anti-sistem sesa shenjë radikalizimi.
Ndërkohë Cornel Ban, profesor i ekonomisë politike në Shkollën e Biznesit në Kopenhagë, bie dakord se rumunët që punojnë jashtë vendit, bëjnë shpesh një jetë të izoluar. Por arsyet kryesore për votimin kundër sistemit nga ana e diasporës, por edhe e një pjese të madhe të shoqërisë rumune në vend, janë materiale dhe jo kulturore.
“Ky votim, është një shuplakë për politikën rumune, për shkak të taksimit të rëndë të punës, dhe taksimit të lehtë të kapitalit për dekada me radhë. Rumania vuan ende nga traumat sociale të komunizmit dhe tranzicionit drejt kapitalizmit. Neve u dha një ‘çek i bardhë’, hyrja në BE, të cilin ne nuk e kemi përdorur mjaftueshëm për ta luftuar varfërinë”- nënvizon Ban./Përshtati nga “Newstatesman”