Psikologu Gëzim Tushi, në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke analizuar aksidentin tragjik në Durrës ku dy fëmijë vdiqën dhe një u plagos rëndë, u shpreh se modeli i njeriut të fortë është bërë dominues në shoqëri, ndërsa fëmijët janë të privuar nga ambientet për të luajtur.
“Duhet parë problemi se si reagojmë se kush është përgjegjësia. Është përqendruar debati te njeriu i droguar dhe i pirë, por duhet të shikojmë përtej këtij druri, te pylli i madh.
Ka kohë që flitet për rreziqet e shoqërisë. Makinat janë shtuar shumë, janë bërë shtëpia e dytë dhe nuk kthehemi mbrapsht. Por nuk janë makinat, janë përdoruesit, mungesa e kontrollit ndaj tyre.
Kjo ngjarje duhet para përtej ngjarjes.
Fëmijët e sotëm që jetojnë në kushtet kur s’kanë hapësira për të jetuar, saqë edhe të burgosurit ajrosen më shumë se fëmijët sot.
Nuk zgjidhet me spitale kjo punë.
Nuk jam partizan i masave ndëshkimore. Shkaku kryesor është mosrespektimi qytetar i rregullave. Ka nisur një përdorim i lëndëve psikotrope, pra janë nën efektin e alkoolit dhe të drogës, dhe ai ka dalë jashtë kontrolli.
Ne merremi me pasojën, por duhet të merremi me shkakun. Duhen kontrolle për dhënien e patentave, dokumentacionin etj.
Ky procesi i njeriut të fortë po bëhet dominant në shoqërinë tonë”- u shpreh ndër të tjera sociologu Gëzim Tushi./mxh
