Eduard Afmataj, autori i dyshuar i vrasjes së 48-vjeçarit Artur Çangu në Nikël, ngjarje e ndodhur vetëm disa ditë më parë, ka dëshmuar para grupit hetimor duke treguar dinamikën e ngjarjes.
Fillimisht mes tyre ka nisur një konflikt verbal, ku më pas sipas autorit Artur Cangu e ka goditur me një kosë të vogël në krah. Pas kësaj, Eduard Afmataj ka marrë çiften dhe e ka qëlluar 48-vjeçarin duke e lënë të vdekur. I gjithë konflikti ka ndodhur në tokën e viktimës në Vrion të Niklës.
Sipas burimeve, në momentin e arrestimit Afmataj nuk ka bërë rezistencë ndaj forcave të policisë, ndërsa arma e krimit ende nuk është gjetur. Afmtataj u arrestua ende pa bërë 24 orë nga ngjarja në vendin e quajtur Bruz Mal, në Malësinë e Krujës, ndërsa ishte fshehur në këtë zonë të thellë. Pas krimit, ky i fundit ka lajmëruar policinë duke i treguar për krimin e kryer dhe më pas u largua.
Po sipas grupit hetimor, mes autorit dhe viktimës prej një viti kishte një konflikt për një pronë.
