Last Updated on 12/04/2026 by Anisa
Frankfurt, 12 prill 2026 – Gazetën më prestigjioze gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), sot më 12 prill do ta dominojë një analizë e thellë mbi procesin gjyqësor të ish-Presidentit Hashim Thaçi në Hagë, duke e lidhur çështjen drejtpërdrejt me politikën gjermane, evropiane dhe transatlantike.
Nën titullin “Post aus Den Haag” (Letër nga Haga), FAZ i kushton faqe të tëra figurës së Hashim Thaçi-t si ish-partner kyç i Perëndimit gjatë luftës së Kosovës, duke u ndalur veçanërisht te roli i ish-Zëvendëskancelarit gjerman Joschka Fischer.
Artikulli thekson se dënimi eventual i Thaçi-t nuk do të ishte vetëm një vendim gjyqësor, por do të përfaqësonte një dënim simbolik për vetë politikën perëndimore të viteve 1998-1999 – sidomos për Gjermaninë e atëhershme të udhëhequr nga koalicioni i kuq-jeshil, për SHBA-në dhe për NATO-n.
“Gjithë Gjermania nesër do të lexojë për Thaçin, Joschka Fischer-in, Amerikën, Kosovën dhe NATO-n në gazetën më të madhe gjermane”, shkruan sot në rrjetet sociale Fitim Çeku, duke ndarë faqen e gazetës.
Përmendja e Jack Smith
FAZ përmend gjithashtu prokurorin special Jack Smith, i cili ngriti aktakuzën kundër Thaçi-t dhe bashkëpunëtorëve të tij. Smith, i njohur tashmë për rastet e tjera të profilit të lartë në SHBA, përshkruhet në artikull si një figurë kontroverse.
Analiza gjermane shkon më tej duke kujtuar se si në vitin 1999, Joschka Fischer dhe qeveria gjermane e kishin konsideruar UÇK-në dhe udhëheqësit e saj si partnerë legjitimë në luftën kundër regjimit të Millosheviqit. Tani, më shumë se 25 vjet më vonë, po gjykohet pikërisht ai partneritet.
Konteksti politik
Artikulli në FAZ vjen në një moment delikat për Kosovën dhe për imazhin ndërkombëtar të luftës së saj çlirimtare. Ai ngre pyetjen nëse Gjykata Speciale po gjykon individë apo po rivlerëson një kapitull të tërë të politikës së jashtme perëndimore në Ballkan.
Hashim Thaçi, i cili ka qenë një nga aleatët më të afërt të Perëndimit gjatë dhe pas luftës, po përballet me akuzat më të rënda për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Procesi në Hagë pritet të ketë jehonë të fortë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Gjermani, SHBA dhe Bruksel.
Gazeta Journal do të ndjekë me vëmendje zhvillimet e mëtejshme nga Haga dhe reagimet që do të shkaktojë ky artikull në opinionin gjerman dhe evropian/Gazzetta Journal/

