Last Updated on 09/10/2025 by EL
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Serbia kërkon nga Turqia që të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe interesat e popullit serb, duke vlerësuar se dërgesa e dronëve nga Turqia në Kosovë është “e paligjshme”.
Një ditë më parë, autoritetet në Kosovë njoftuan se kanë pranuar kontejnerë me “mijëra dronë” luftarakë kamikazë Skydagger.
Pas këtij njoftimi të bërë nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, Beogradi kritikoi Ankaranë.
“Detyra ime është të krijojë marrëdhënie të mira me Turqinë, ashtu si është detyra ime që, kur shoh se populli im është i rrezikuar nga një dërgesë e paligjshme armësh, të qëndroj pranë popullit tim dhe të luftoj për interesat e tij”, tha Vuçiç për gazetarët më 9 tetor.
Duke theksuar se Serbia dëshiron marrëdhënie “sa më të afërta” me Turqinë, Vuçiq tha se “lutem për respektimin e normave elementare të së drejtës ndërkombëtare publike dhe të interesave elementare të Serbisë dhe popullit serb”.
“Mund të imagjinoni si do të dukej sikur ne të armatosnim dikë në disa territore që janë problematike për Turqinë, siç është juglindja e Turqisë apo disa territore të tjera për të cilat turqit i pretendojnë”, deklaroi ai.
Sipas Vuçiçit, sjellja e Turqisë ka rëndësi të madhe për stabilitetin e rajonit.
Ai njoftoi se do të bisedojë me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, për dërgesën e armëve në Kosovë.
Vuçiq theksoi se për këtë temë kishte diskutuar po ashtu me Erdoganin vitin e kaluar, kur “i kërkova Turqisë të ndalonte armatosjen e Prishtinës”.
“Unë përmenda Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara [OKB] dhe akte të tjera, dhe kërkova që kjo të mos ndodhë përsëri”, tha ai.
“A është kjo një forcë që mund ta mposhtë, frikësojë, kërcënojë Serbinë – jo, por qëllimi për të vazhduar me këtë është shqetësues”, u shpreh Vuçiq sa i përket blerjeve të pajisjeve ushtarake nga Kosova. m.p.
