Last Updated on 24/11/2025 by Monika
Një vullkan në verilindje të Etiopisë ka shpërthyer për herë të parë pas gati 12.000 vitesh, duke dërguar re të dendura hiri deri në 14 kilometra lartësi dhe përtej Detit të Kuq, drejt Jemenit dhe Omanit. Bëhet fjalë për vullkanin Haily Gubbi, i cili ndodhet në rajonin Afar, rreth 500 milje në verilindje të Addis Ababa-s dhe pranë kufirit me Eritrenë. Sipas raportimeve, shpërthimi ndodhi të dielën, më 23 nëntor, dhe zgjati për disa orë.
Zyrtari lokal Mohamed Seid deklaroi se nuk ka viktima, por shpërthimi pritet të ketë pasoja ekonomike për komunitetet baritore, pasi shumë fshatra janë mbuluar nga hiri, duke ndikuar në ushqimin e bagëtive. Ai theksoi se nuk ka pasur prova të mëparshme për shpërthime të këtij vullkani, duke shtuar se banorët janë të shqetësuar për mjetet e tyre të jetesës.
Vullkani, rreth 500 metra i lartë, ndodhet në Luginën e Riftit, zonë me aktivitet të lartë gjeologjik ku takohen dy pllaka tektonike. Re të mëdha hiri janë transportuar deri mbi Jemen, Oman, Indi dhe Pakistanin verior, sipas qendrës VAAC.
Dëshmitarët lokalë raportuan dridhje dhe një shpërthim të fuqishëm të shoqëruar me tym dhe hir. Programi Botëror i Vullkanologjisë i Smithsonian Institution konfirmoi se vullkani nuk ka shënuar shpërthime gjatë gjithë Holocenit, periudhë që nis rreth 12.000 vite më parë. Edhe profesori i vullkanologjisë Simon Carn pohoi se nuk ka të dhëna historike për aktivitet të mëparshëm shpërthyes në Haily Gubbi./ mxh
