Last Updated on 03/08/2026 by EL
Debati për reformën territoriale ka sjellë përplasjen e parë brenda mazhorancës, pasi deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Vullnet Sinaj, ka dalë kundër propozimit për shkrirjen e Bashkisë së Selenicës dhe bashkimin e saj me Vlorën.
Sinaj argumenton se Selenica i plotëson kriteret për të vijuar të funksionojë si bashki më vete dhe se problemi nuk qëndron te numri i bashkive, por te mungesa e financimit të mjaftueshëm nga qeveria qendrore.
Deputeti socialist ka kundërshtuar argumentin se treguesit ekonomikë të Selenicës janë të dobët, duke sjellë në vëmendje pasuritë natyrore të zonës, përfshirë minierën e Selenicës dhe zonën naftëmbajtëse të Gorrishtit.
“Si ka mundësi që harrohen dy nga pasuritë minerare më të rëndësishme të vendit? Gorrishti prodhon rreth 35 mijë tonë naftë bruto në vit”, është shprehur Sinaj, duke ngritur shqetësimin për mënyrën e ndarjes së të ardhurave nga renta minerare.
Sipas tij, bashkitë që kanë pasuri natyrore përfitojnë vetëm një pjesë shumë të vogël të vlerës së prodhimit. Ai pretendon se nga renta minerare prej 10%, bashkive u kthehet vetëm 5% e kësaj rente, që në praktikë përkthehet në rreth 0.5% të vlerës së prodhimit.
Sinaj ka kërkuar rritjen e financimit për pushtetin vendor, duke deklaruar se pjesa më e madhe e buxhetit administrohet nga qeveria qendrore dhe se bashkitë kanë nevojë për më shumë mbështetje për investime.
Ndërkohë, banorët e Selenicës kanë nisur protesta kundër shkrirjes së bashkisë dhe bashkimit me Vlorën, duke kërkuar që qeveria të rishikojë vendimin dhe të marrë parasysh kërkesat e komunitetit./et
